Gjatë orëve të mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot me vranësira mesatare dhe reshje shiu e bore, të cilat në zonën qëndrore janë mbi mesataren. Në zonat veriore vazhdon rënia e borës, por jo me intesitet të lartë. Ministria e Punëve të Brendshme raporton si mëposhtë situaten deri në orën 17:00 në gjithë vendin:

  • Qarku i Kukësit: Dëbora që ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe vazhdon të bjerë me intesitet të ulët. Lartësia e dëborës është 7 cm në qytetin e Kukësit, 10 cm në Tropojë dhe 8 cm në Krumë. Të gjitha akset kombëtare dhe rurale janë të hapura. Subjektet kontraktore janë në gatishmëri dhe kanë të gjitha mjetet dhe forcat gjatë segmenteve problematike. Në Rrugën e Kombit, qarkullimi i mjeteve bëhet pa probleme dhe reshjet e pakta të dëborës nuk kanë sjellë pengesa. Në këtë aks punojnë nëntë automjete borëpastruse për mirëmbajtjen e rrugës.
  • Qarku i Dibrës: Gjatë orëve në vazhdim edhe në këtë qark ka patur reshje të dobëta shiu dhe në lartësitë e mëdha reshjet janë në formë dëbore, por jo intensive. Lartësia e dëborës, sipas njësive administrative, është 15 cm në Kalanë e Dodës dhe 20 cm në Lurë. Njësia administrative e Arrasit ka patur rrëshqitje dheu në fshatin Grikë Noke dhe po punohet për hapjen e rrugës. Mungon energjia elektrike në Shupenzë.
  • Qarku i Elbasanit: Gjatë orëve në vijim ka patur reshje mesatare shiu dhe në lartësinë mbi 600 m reshjet kanë qënë në formë dëbore. Në këtë qark ka prezencë të dëborës në trashësinë 15 cm në Qafë Thanë dhe në Stëblevë, dhe 15 cm në Librazhd. Nuk raportohen bllokime rrugësh, por në segmentin rrugor Librazhd – Prenjas ka vështirësi në qarkullim për shkak të rënies së inerteve. Për shkak të rënies së reshjeve ka rritje të nivelit të ujit në lumin e Devollit, por nuk ka probleme për daljen e tij nga shtrati.
  • Qarku i Shkodrës: Në Shkodër ka reshje mesatare shiu, kurse në Pukë dhe Malësinë së Madhe reshjet janë të pakta. Por, për shkak të uljes së madhe të temperaturës shiu është në formë akulli. Në rrugët kombëtare Qafë Mali – Qafë Shllak – Fierzë dhe Fushë Arzë – Iballë ka vështirësi kalimi për shkak të ngricave, por rrugët janë të hapura.
  • Qarku i Korçës: Në të gjithë qarkun ka reshje shiu, kurse në zonat malore reshjet janë në formë dëbore. Në Qafë Plloçë, Qafë Qarri dhe Qafë Bigllë ka prezencë të dëborës dhe vazhdojnë reshjet me intesitet mesatar. Nuk ka bllokime të rrugëve, por në disa segmente rrugore qarkullimi bëhet me zinxhirë.
  • Qarku i Beratit: Në këtë qark bien reshje intensive shiu, kurse në zonat malore të Skraparit bien reshje intensive dëbore. Ujerat e lumenjve në këtë qark kanë filluar të rrisin prurjet e tyre. Rritje të theksuar ka pasur lumi i Osumit, i cili po afrohet në nivelet kritike.
  • Qarku i Tiranës: Në të gjithë Qarkun e Tiranës ka pasur reshje mesatare shiu. Ujrat e lumit të Tiranës janë rritur, por nuk kanë shkaktuar probleme përmbytjesh në banesa apo toka bujqësore.
  • Qarku i Lezhës: Në Qarkun e Lezhës vazhdojnë reshjet e shiut me intesitet mesatar. Të gjithë hidrovoret janë në punë dhe po punojnë me kapacitet të plotë. Në Rrugën e Kombit, në fshatin Skuraj, punojnë shtatë automjete transporti të Forcave të Armatosura për riparimin e argjinaturës së dëmtuar nga prurjet e lumit të Matit, për shkak të rritjes së shkarkimeve në hidrocentrale.
  • Qarku i Gjirokastrës: Në të gjithë qarkun ka reshje mesatare shiu. Të gjitha rrugët kombëtare dhe rurale janë të qarkullueshme dhe pa probleme. Lumi i Vjosës ka filluar të rrisë prurjet e veta, sidomos nga pjesa që vjen prej burimeve në tokën greke. Deri në këto momente nuk ka arritur nivele kritike dhe nuk përbën shqetësim për përmbytje të tokave bujqësore apo banesave.