Gjatë 24 orëve të fundit mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot me vranësira të dendura dhe reshje shiu. Sipas Ministrisë së Brendshme, reshjet më intensive kanë qenë në qarkun e Vlorës, Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Shkodrës dhe në disa zona malore ka pasur reshje dëbore si në qarkun e Kukësit, Elbasanit dhe Korçës, por me intensitet të ulët dhe pa shkaktuar dëme.

Reshjet e rëna gjatë mbrëmjes së djeshme në qarkun e Durrësit kanë shkaktuar rritjen e prezencës së ujërave në disa zona të qytetit, si në Shkozet dhe në lagjen e Kënetës, por pa shkaktuar dëme.

Ndërsa në qarkun e Tiranës ka pasur reshje intensive shiu sidomos në pjesën e dytë të ditës së djeshme. Në Tiranë pati prezencë të ujërave sipërfaqësore në rrugën “Don Bosko”, “Medar Shtylla”, pranë shkollës profesionale Teknologjike, në disa zona në Kombinat, por ujërat kanë qenë të përkohshme dhe me ndërprerjen e reshjeve situata u normalizua.

Në qarqet e tjera të vendit ka pasur reshje normale dhe nuk raportohet për situata emergjente të krijuara prej kushteve të motit.

Akset kombëtare dhe rurale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet normalisht. Hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.