DURRES, 14 mars 2013 – Moti i keq që ka goditur gjirin e Durrësit mëngjesin e sotëm ka krijuar mjaft vështirësi në ankorimin e trageteve në port.

Burime të kapitenërisë bëjnë të ditur se vetëm njëri nga 2 tragetet që pritet të mbërrijnë ka mundur të ankorohet, me rreth 2 orë vonesë. Ndërkohë trageti tjetër është ende në det dhe ankorimi i tij parashikohet të realizohet pas rreth një ore. Forca e detit ka qenë mbi 6 ballë, ndërsa ajo e erës rreth 80 km/orë.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, është pezulluar puna në sektorin e ngarkim-shkarkimit, ndërkohë që lundrimi i mjeteve të tonazhit të vogël dhe të mesëm është ndaluar deri në një urdhër të dytë të kapitenerisë së portit të Durrësit.

/m.l. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/