Moti i keq që ka përfshirë gjirin e Durrësit ka shkaktuar problematika edhe në ankorimin e trageteve, në momentin e ankorimit të tyre në kalatë.

Në rrjete sociale është publikuar një video që dëshmon momentin kur tragetet e linjës Durrës – Bari kanë rrezikuar përplasjen.

“DurrësLajm” mëson se për shkak të kushteve të vështira atmosferike, trageti “Francesca” ka kapur spirancën e mjetit tjetër lundrues, Rigel III.

Fatmirësisht nga incidenti detar nuk ka pasur dëmtime të 2 trageteve në fjalë.

Më herët, “Durrëslajm” njoftoi mbytjen në basenin e portit të peshkimit të një peshkarexhe, që nuk dilte në det prej rreth dy vitesh.

Në një njoftim të fundit, Autoriteti Portual Durrës bëri me dije se ka pasur vonesa në mbërritje dhe proceset e bregëzimit të trageteve.

Për këtë arsye, është marrë një vendim lidhur me lundrimet e ditës së sotme.

“Kompanitë e lundrimeve bëjnë të ditur se si pasojë e kushteve të paqëndrueshme të motit trageti “AF Marina” i parashikuar për lundrim mesditën e sotme nga Porti i Durrësit drejt Barit, (Itali) ka pezulluar nisjen deri në normalizimin e situatës.

Trageti “AF Franceska” do të kryejë lundrim pa pasagjerë si pasojë e kushteve të përkeqësuara metereologjike”,– njofton APD.

M.B.