Dy tragetet e linjës Durrës – Bari, të cilët nuk mundën të lundronin natën e kaluar drejt destinacionit për shkak të erës së fortë me shpejtësi deri në 20 m/sek, u nisën sot në mëngjes nga porti i Durrësit.
Sipas burimeve nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, tragetet “Bari” dhe “AF Marina” u nisën sot rreth orës 7:30 drejt portit të Barit. Era e fuqishme gjatë natës së kaluar, vonoi për rreth katër orë edhe tragetin “AF Claudia”, i cili u nis drejt Ankonës pas incidentit brenda basenit portual.
Aktualisht në portin e Durrësit po përpunohen 5 anije, një pjesë e të cilave vazhdojnë të shkarkohen megjithë reshjet që bien herë pas here.
Sipas të njëjtit burim, mësohet se në anijet me kontejnerë dhe skrap, përpunimi ka vijuar me ndërprerje të vogla edhe gjatë natës së kaluar. Aktualisht drejtimi i erës po ndryshon nga jugu drejt perëndimit dhe forca e saj gradualisht ka rënë.