Qyteti bregdetar i Durrësit ka mirëpritur ditën e sotme mbi 400 motoçikleta “Vespa”, që zbarkuan në sheshin “Liria” duke u bërë objekt i kuriozitetit të shumë banorëve dhe turistëve.
Drejtuesit e këtyre motorçikletave nga Kosova, Shqipëria dhe Italia mbërritën në Durrës në kuadër të një turi dhe aktiviteteve të përbashkëta që zhvillojnë të apasionuarit e motoçikletave.
Të mbledhur në sheshin qendror të qytetit, aktivistë të apasionuar pas motorëve tip “Vespa” janë grumbulluar para nisjes së tyre në pika të ndryshme turistike. Destinacioni i radhës do të jetë po një tjetër qytet bregdetar, ai i Vlorës për të udhëtuar më pas drejt Sarandës.
Ergys Narta, president i “Vespa club” Durrës, shprehet se ky aktivitet është një mundësi e mirë për të takuar shqiptarët kudo ku ndodhen dhe jo vetëm, pasi këtë herë këtij aktiviteti i janë shtuar një numër i lartë adhurues të motorëve “Vespa” nga Italia.
Ky aktivitet do të shërbejë gjerësisht për promovimin e pikave turistike të Shqipërisë nga vetë drejtuesit e motorëve që nëpërmjet tureve të tyre bëhen pjesë e guidave turistike.
K.H.





