“E vrau në gjumë Rasimin. Ervini ka sjellë vetëm shqetësime për familjen tonë”

Rasimi ka gjetur vdekjen nga një plumb, që i ka hyrë nga shpatulla e majtë dhe i ka dalë poshtë barkut

TIRANE, 20 maj 2013– Motra e Rasim Lekës, 58-vjeçarit të vrarë mbrëmjen e së premtes nga djali i tij i madh, Ervini, kërkon dënim maksimal ndaj nipit. Ajo nuk mund ta falë krimin e nipit, duke e cilësuar atë si një fëmijë problematik. Gjithashtu, e motra e të ndjerit, aludon se 18-vjeçari e ka vrarë të atin, kur ai nuk mund të mbrohej. “Im vëlla është vrarë në gjumë, sepse Ervini nuk ka pasur shans që të përleshet fizikisht me atë. Rasimi ka qenë i madh në trup dhe e mbyste të birin me duar, po të shihte një gjë të tillë. Ai gjithmonë më ka folur për shqetësimet që i ka shkaktuar djali i madh, por kurrë nuk menduam që situata do të shkonte deri këtu”, shprehet e motra e Rasim Lekës, i cili u vra nga i biri. Ndër të tjera, ajo ka folur për të gjitha peripecitë që i ka shkaktuar adoleshenti të atit.

Si ndodhi ngjarja?

Nuk e di me saktësi se si Ervini e ka vrarë të atin, por di të them që ata gjithmonë kanë pasur përplasje me njëri-tjetrin. Se çfarë ka ndodhur atë natë, e di vetëm Rasimi, por ai nuk është më dhe të gjitha i ka marrë me vete. Nuk ka mundësi që të na ndriçojë rreth asaj që ka ngjarë mes tyre. Rasimi ka gjetur vdekjen nga një plumb i vetëm, që i ka hyrë nga shpatulla e majtë dhe i ka dalë poshtë barkut, duke i prekur të gjitha organet. Ne e kemi gjetur të shtrirë në krevat dhe të larë në gjak, pa shenja jete. Kjo na lë të dyshojmë, por edhe nga ato që na kanë thënë, nipi e ka vrarë tim vëlla në gjumë.

Keni qenë në dijeni të problemeve babë e bir?

Po, kemi qenë. Im vëlla ankohej gjithmonë te ne, për problemet që i shkaktonte i biri. Ervini kthehej pothuajse çdo ditë në shtëpi rreth orës dy-tre të mëngjesit. Në çdo dyqan merrte borxhe dhe njerëzit e kapnin vëllain tim prej xhakete, për t’i kërkuar paratë. Ai kurrë nuk ndihej, por ia paguante, në mënyrë që njerëzit të mos e kuptonin kurrë se çfarë djali kishte. Nuk donte që të tjerët të flisnin keq për të birin. Shqetësimet që i shkaktonte ai, nuk mbaronin kurrë.

Kam përshtypjen që ai është përdorues droge, luante bixhoz, dehej, rrinte gjithë natën nëpër pub-e e diskoteka, harxhonte para dhe kurrë nuk bëri një punë, që të ndihmonte familjen e tij. Kur braktisi shkollën, Rasimi u mërzit shumë dhe e luste pa pushim që të studionte. Për të ndryshuar dhe për ta pjekur,e dërgoi në Greqi që t’i shtrohej punës. Por, edhe atje nuk e pati të gjatë. U kthye se nuk ia mbante që të punonte dhe nisi të njëjtin avaz.

Përse e vrau Ervini të atin?

Ai ka shpirt krimineli. Kam një hije dyshimi që ai nuk e ka vrarë me mendjen e tij, por dikush e ka shtyrë atë që ta ekzekutojë tim vëlla.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Ervini merrej me punë të këqija. Fakti që ai e ka vrarë të atin në pabesi, bën që të dyshosh në lidhje me motivin.

Ku e gjeti Ervini armën e zjarrit?

Në shtëpi e ka gjetur. Ajo ka qenë çifte dhe Rasimi e ka pasur me leje. Im vëlla ka pas qenë roje pylli dhe armën nuk e ndante asnjëherë.

Si i kishte marrëdhëniet Rasimi me pjesën tjetër të familjes?

Shumë të mira. Djalin e vogël, Fatjonin, e kishte pikë të dobët. Ai është një fëmijë që të bën krenar. Më thoshte që do investonte për Fatjonin, në mënyrë që të mbaronte studimet. Ndërsa me bashkëshorten, marrëdhëniet kanë qenë paksa të ngrira. Rasimi ka qenë i martuar shumë vite më parë me një grua tjetër. Kur u nda prej asaj, nisi të konsumojë alkool. Nuk iu nda pijes deri në vdekje. Pavarësisht kësaj, ai nuk shkaktonte kurrë probleme. Shkonte në shtëpi dhe nuk bënte zhurmë, por flinte gjumë. Ndoshta edhe debatonte ndopak, por kurrë nuk ushtronte dhunë mbi familjen e tij. Më thanë që edhe ditën kur u vra, kishte pirë pak, por jo deri në atë pikë, që mund ta quajmë të dehur. Kur ishte në gjendje normale, ai të bënte shumë për vete. Ishte një njeri mjaft i ditur dhe i komunikueshëm. Po ta dëgjoje kur fliste, ti nuk do i ndaheshe bisedës, sepse ka qenë i zgjuar. Problemet nuk iu ndanë, derisa i morën jetën.

Dëshmia

Fatjon Leka: Nga televizioni mësova se vëllai vrau babanë

“Unë nuk kam qenë aty, kur ndodhi vrasja. Kisha dalë me shokët dhe kur u ktheva, në shtëpi gjeta policinë. U futa brenda me shpejtësi, për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe u tmerrova nga ajo që më panë sytë. Fillimisht më thanë që ngjarja ishte vetëvrasje, por unë nuk e besova. E pashë me sytë e mi skenën e krimit dhe nuk kishte mundësi që babi të ishte vetëvrarë, edhe pse më thoshin të kundërtën. Pastaj në televizor dëgjuam që ajo nuk ishte vetëvrasje, por që babin e kishte vrarë vëllai im. Të njëjtën gjë na e konfirmoi edhe policia, e cila na tha që Ervini kishte pranuar krimin”, shprehet 16-vjeçari i të ndjerit.

Ndër të tjera ai thotë që mes tyre gjithmonë ka pasur probleme, por kurrë nuk ishin përplasur fizikisht.

“Në familjen time ka pasur gjithmonë sherre mes babait dhe vëllait. Ervini na shqetësonte vazhdimisht. Kurrë nuk e mendova që gjërat do të shkonin deri në këtë pikë. Jam shumë i tronditur rreth asaj që ka ndodhur. Para se të dilja nga shtëpia, gjërat i lashë në qetësi. Ata nuk ishin zënë për asnjë moment atë ditë. Nuk e di se si ka ndodhur e gjithë kjo dhe që situata arriti deri në këtë pikë”, vijon të flasë minoreni. Këto pak fjalë që thotë, i nxjerr me shkëputje. Mendohet shumë teksa flet. Ai nuk mund ta pranojë vrasjen e të atit, por as ndaj të vëllait nuk mund të hedhë vrer, pavarësisht se Ervini u ka shkaktuar gjithmonë probleme.

Familja

“E mora dajën për ta dërguar në spital, por ishte e kotë, sepse kishte mbaruar me kohë”

Ka pllakosur zia në shtëpinë e Rasim Lekës, të gjithë kundër djalit vrasës

Banesa e Rasim Lekës ndodhet në fshatin Valias i Ri, Kamzë. Familja prej 5 anëtarësh ka zbritur nga zona e Dibrës, për një jetë më të mirë. Banesën e ka dykatëshe, por punimet ende nuk kanë përfunduar. Ndonëse 58-vjeçari është përcjellë në banesën e fundit, paraditen e së shtunës, njerëzit e kanë “pushtuar” shtëpinë e tij. Një grup meshkujsh janë uluar në katin e parë të banesës, ndërsa në katin e dytë, ndodhen gratë. Janë mjaft të tronditur rreth asaj që ka ngjarë dhe nuk arrijnë që ta përtypin një gjest të tillë. “Ervini është si delja e zezë në fis”, thonë njerëzit. Të gjithë e cilësojnë si djalin plëngprishës.

Nipi i të ndjerit del te porta për të thënë dy fjalë, rreth ngjarjes. “Nuk e di se çfarë ka ndodhur me saktësi atë natë. Kur unë mbërrita, nuk pata kohë që të pyesja se çfarë kishte ngjarë. E mora dajën dhe e nisa me urgjencë drejt spitalit. Ka qenë e kotë, sepse ai kishte mbaruar me kohë. Në momentin që ka ndodhur krimi, në banesë kanë qenë vetëm fëmijët. Policia duhet të sqarojë se si ka ndodhur vrasja. Nuk jam as në dijeni të asaj që ka thënë Ervini në polici. Kaq di të them. Mirupafshim!” shprehet nipi i të ndjerit, duke nxituar që të hyjë brenda, pasi njerëz të tjerë erdhën për ngushëllime. Babai i tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze, u ekzekutua, mbrëmjen e së premtes me armën e tij të gjahut nga i biri, Ervin Leka, 18 vjeç.

Pak orë pas ngjarjes, krimi u raportua nga Policia e Tiranës si vetëvrasje. Menjëherë pas njoftimit, në banesën e 58-vjeçarit, ka shkuar grupi hetimor, i cili mblodhi provat materiale, për zbardhjen e së vërtetës. Ervin Leka, fillimisht ka deponuar që i ati ka vetëvrarë veten, por më pas ekspertiza konkludoi të kundërtën. Në rrobat e 18-vjeçarit janë gjetur mbetje baruti dhe skena e krimit nuk ka qenë e bindshme për policinë, ndaj atyre që thoshte i riu. Pas 24-orësh, grupi hetimor ngriti dyshimin e fortë, që babai i tre fëmijëve mund të jetë vrarë nga i biri. Thuhet se një ditë më pas, i riu ka pranuar autorësinë e krimit.

/Shqip/