Berat, 6 gusht 2014 – Krimi brenda familjes trondit banorët e qytezës së Urës Vajgurore në Berat. Një 45-vjeçar me precedentë penalë e ka torturuar për orë të tëra bashkëshorten e tij me grushte, shqelma dhe mjete të forta.

Nën efektin e alkoolit, Tomorr Zeqo e ka goditur me thikë pas koke nënën e dy fëmijëve të tij, Mimoza Zeqon dhe më pas e ka lidhur këmbë e duar dhe e ka detyruar me forcë që të pijë fostoksinë.

42-vjeçarja ka mbërritur e gjallë në spital, por ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra. Pas kryerjes së veprimeve hetimore ka rezultuar se ngjarja horror ka marrë shkas për motive xhelozie. 

Tomorr Zeqo i ka nxirë jetën gruas së tij prej shumë vitesh, duke e rrahur sistematikisht. Ndonëse e shoqja mbante familjen, ai është tërbuar nga xhelozia. Konfliktet e përditshme në çift kanë arritur kulmin mbrëmjen e së hënës. 45-vjeçari ka përfituar nga mungesa e dy fëmijëve të tij (kishin shkuar tek gjyshërit) dhe ka masakruar bashkëshorten.

Skenari i denjë për një film horror. Burime nga policia lokale pohuan se dhuna ka vijuar për orë të tëra. Mësohet se rreth orës 00:10, kryefamiljari e ka lidhur këmbë e duar bashkëshorten, i ka futur një shkop në gojë dhe e ka helmuar me fostoksinë. Ulërimat dhe thirrjet për ndihmë të Mimoza Zeqos kanë alarmuar fqinjët. Ata e kanë gjetur 42-vjeçaren në gjendje shumë të rëndë, ndaj e kanë dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Beratit.

Me gjithë ndihmën e dhënë nga mjekët, 42-vjeçarja nuk ka mundur të mbijetojë. Këta të fundit deklaruan se viktima kishte plagë të rënda në trup e në kokë dhe se fostoksina ka përshpejtuar vdekjen e saj. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka arrestuar autorin e krimit.

Sipas bluve, Tomorr Zeqo ka dalë para dy vitesh nga burgu. Hetuesit e çështjes sqaruan se 9 vjet më parë, ai ka goditur me thikë vëllain e vet dhe është dënuar me burg. Ndërsa 3 vjet më parë, Tomorr Zeqo ka vendosur tritol në derën e banesës së vëllait, por fatmirësisht në të dyja rastet nuk ka pasur viktima. 

Para se të ikte nga kjo botë, Mimoza Zeqo ka mundur të flasë me motrën e saj, Rudina Xhafa. 42-vjeçarja i ka treguar me detaje orët e ferrit, ndërsa i ka lënë amanet asaj dy fëmijët. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Xhafa rrëfeu amanetin e së motrës. 

Mund të na thoni si ndodhi ngjarja? 
Jam shumë e tronditur nga ajo që i ndodhi motrës sime. Dridhem vetëm kur e mendoj. Mimoza ishte torturuar barbarisht nga i shoqi për orë të tëra, por mundi të më tregonte skenën e dhunshme. 

Çfarë ju tha motra juaj, Mimoza? 
Bashkëshorti i saj kishte përfituar nga mungesa e fëmijëve dhe kishte nisur të rrihte motrën time. Për disa orë e kishte goditur me grushte e shkelma. Më pas kishte marrë thikën dhe i kishte çarë kokën nga mbrapa. Por nuk kishte përfunduar me kaq. Ai e kishte ngritur nga dyshemeja, e kishte ulur në një karrige dhe e kishte lidhur këmbë e duar me skoç. Më pas i kishte futur një shkop në gojë dhe e kishte detyruar që të pinte fostoksinë. 

Si kanë qenë marrëdhëniet e motrës tuaj me bashkëshortin? 
Tomorr Zeqo është njeri i dhunshëm e agresiv. Ai e ka rrahur sistematikisht motrën time, e cila siguronte bukën e gojës për familjen e saj. Ai ishte njeri me fiksime, ndaj e largoi familja e tij. I vetmi njeri që i rrinte afër dhe kujdesej për të ishte motra ime. Tomorri bridhte burgjeve, jeta e tij ishte peshkim, bilardo e bixhoz. Ai e mori më qafë time motër, e cila ma la amanetin e fundit para se të vdiste. 

Cili ishte amaneti që ju la motra juaj? 
Më la amanet fëmijët e saj. Ka dy fëmijë. Më la me gojë, të kujdesem si një nënë për ta. Por a do ia falin ata babait këtë që i bëri nënës?

/Gazeta Shqiptare/