10 gusht 2015 – Kanë kaluar 25 ditë dhe nuk dihet ende asgjë mbi fatin e dy motrave të zhdukurave nga Spitalla.
Një ndër pistat kryesore të hetimit është se motrat Kajtazi janë instruktuar nga një grua, e cila po i shfrytëzon ato në një lokal nate, por asgjë nuk është konfirmuar ende nga policia.
Faktin se ato mund të fshihen në një lokal nate në Durrës, i ati i vajzave, Hiqmet Kajtazi e sheh me shumë rezerva dhe bën apel për gjetjen e tyre, shkruan gazeta “Shekulli”.
“Nuk besoj se ato janë ende në Durrës, sepse ata persona që i kanë marrë do të kishin pak frikë dhe nuk do t’i mbanin në qytetin e tyre. Për fatin tonë të keq, ne jemi fis i vogël dhe nuk ka kush të më ndihmojë për t’i gjetur. Më ranë këmbët, duke i kërkuar në lokalet në Golem dhe në Vollga, por nuk kam gjetur asnjë gjurmë të tyre. Po humbas durimin duke pritur. Të më ndihmojë kushdo që i sheh nëpër qytet”, thotë ai.
I shqetësuar mbi fatin e të bijave që ka mbi 3 javë që nuk i sheh me sy dhe nuk di asgjë për to, Hiqmet Kajtazi thotë se ka humbur besimin dhe te policia e Durrësit, që sipas tij nuk po bën mjaftueshëm përpjekje për gjetjen e tyre.
“Po bëhet gati një muaj dhe ata ende nuk kanë zbardhur tabulatet e telefonave”, shprehet Hiqmeti, i cili ndër të tjera thotë se është i frikësuar për shkak se në medie është ndërtuar një tjetër imazh për vajzat e tij.
“Ato nuk janë ashtu si thonë mediet. Vajzat e mia janë rritur në një familje të rregullt dhe nuk kanë dalë kurrë nga shtëpia dhe as janë larguar kurrë më parë për ditë me radhë. Pavarësisht se ishin të mbyllura, ato kanë qenë shumë inteligjente dhe nxënëse të shkëlqyera. Orialda flet shumë mirë italisht dhe anglisht”, u shpreh ai.
Fotot e dy vajzave të zhdukura po qarkullojnë në të gjitha mediet dhe interesi i opinionit publik për gjetjen e tyre është i madh. Jo më larg se dje policia e Tiranës ka ndaluar dy vajza të reja që po pinin kafe në kryeqytet në një lokal shumë afër qendrës. Ka qenë kamerieri i barit që ka lajmëruar policinë se kishte dyshime që dy vajzat janë motrat Kajtazi, por pas verifikimeve nga ana e bluve rezultoi se ato nuk ishin vajzat e zhdukura.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





