Jose Mourinho u ka dhënë përgjigje të hollë kritikëve të tij pas triumfit në “Europa League” me Manchester United, duke sugjeruar se “poetët” e futbollit nuk fitojnë tituj. Nga një gol në secilën pjesë loje, në të parën nga Paul Pogba dhe në të dytën nga Henrikh Mkhitaryan ishin të mjaftueshëm për t’i parë “Djajtë e Kuq” duke marrë një fitore historike mbi rijoshët e Ajax, në Stokholm. Jose Mourinho e fitoi trofeun në fjalë për herë të parë në historinë e klubit nga “Old Trafford”. Portugezi ka duruar shumë kritika këtë sezon, me Manchester Unitedin që përfundon në vendin e gjashtë të Premier League, duke u shfaqur jobindës gjatë rrugës për në finale.
Në të vërtetë, kapiteni i Ajax, Davy Klaassen, e vazhdoi këtë prirje, duke sugjeruar se skuadra e Mourinhos ishte me fat që fitoi. Sidoqoftë, pas përfundimit të sezonit të tij të parë në stolin e “Djajve të Kuq” me tre trofe dhe sigurimin e Ligës së Kampionëve për sezonin e ardhshëm, ish-trajneri i Real Madridit ishte i lumtur, duke thumbuar edhe kundërshtarët apo kritzierët: “Gjithmonë kemi menduar se mund ta fitonim “Europa League”. Kjo gjë është realitet tashmë, ndaj jemi shumë të lumtur. Ne luajtëm me inteligjencë, e bëmë gjithçka në një mënyrë të rehatshme. Ishim shumë më të fortë se Ajax. Nëse doni të shtypni topin gjithë kohën, nuk do të luani mirë, nëse jeni dominues në ajër, ju shkon shumë fatura. Ka shumë “poetë” në futboll, por ata nuk fitojnë shumë tituj. Ne e dinim se ku ishin më të mirë se ne, por pamë më parë se ku ishim më mirë se ata, u përpoqëm të vrasim cilësitë e tyre të mira dhe të shfrytëzojmë dobësitë e kundërshtarit. Ne e bëmë detyrën shumë mirë që nga minuta e parë dhe ne e meritojmë plotësisht trofeun”.
Jose Mourinho pranoi se mandati i tij i parë në krye të Manchester United ishte “sezoni më i vështirë si trajner”, ndaj me tre trofe të fituar, tani do të marrë një pushim të merituar: “Ne kemi preferuar të arrijmë në Ligën e Kampionëve në këtë mënyrë se sa të përfundojmë në vendin e katërt, të tretë apo të dytë. E kemi arritur objektivin, jemi kthyer në Ligën e Kampionëve, duke fituar një titull, një titull të rëndësishëm. Manchester United ka tani në palmaresin e vet çdo titull të mundshëm në futbollin botëror. Tre trofe në një sezon dhe Liga e Kampioneve? Jam shumë i lumtur për sezonin tim më të vështirë si trajner. Ky është fundi i një sezoni shumë të vështirë e shumë të mirë”.