Zërat për uljen e Mourinhos në stolin e Manchester United po gjejnë konfirmim dita ditës. Nuk është më një mister fakti që portugezi ka nisur kontaktet me drejtuesit e klubit për të pasuar Louis Van Gaal, por tashmë dalin në sipërfaqe edhe disa të dhëna interesante që lidhen me kontratën e re që do të firmosë “Special One”.
Sipas mediave britanike, Mourinho do të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare nga e cila do të përfitojë rreth 20 milionë Euro në sezon. Por nuk përfundon me kaq pasi për të është parashikuar bonusi prej 5 milionësh në rast se Manchester United do të fitojë Premier League. Mourinho do të ulet në stolin e “Djajve të Kuq” në muajin Qershor sepse në të kundërt, shkarkimi i Van Gaal do t’i kushtonte klubit 12.5 milionë Euro. Nëse kontrata finalizohet me firmat e palëve, Mourinho do të bëhej një nga trajnerët më të paguar në ishull pasi shifra të ngjashme do të përfitojë edhe Pep Guardiola në stolin e Manchester City.
Portugezi u shkarkua nga Chelsea në mesin e sezonit për shkak të rezultateve të dobëta në kampionat edhe pse ai arriti ta rikthente skuadrën londineze në majën e Anglisë me titullin kampion të fituar sezonin e shkuar. Vendin e tij e zuri holandezi Gus Hiddink që do ta vazhdojë këtë detyrë deri në fund të sezonit.