DURRËS, 29 nëntor 2014 – Mediat angleze e shikojnë të ardhmen e Lionel Messit te Chelsea, por dicka e tillë u mohua kategorikisht nga trajneri i Bluve të Londrës, Jose Mourinho. Deklaratat e Messit se një ditë mund të largohet nga Barcelona kanë bërë që për argjentinasin të flitet shumë gjatë këtyre ditëve të fundit, gjithsesi për portugezin e stolit të Chelsea-it edhe nëse 4 herë fituesi i Topit të Artë vendos të lërë skuadrën katalanase ai nuk do të transferohet në Stamford Bridge. “Reagimi im ka të bëjë mbi faktin se në ditët e sotme bota mediatike ka ndryshuar po aq shumë sa edhe bota e futbollit. Unë mendoj se në këtë moment është shumë e thjeshtë të publikosh lajme të pabaza dhe aspak të vërteta. Është shumë qesharak fakti se si disa persona keq informojnë publikun duke spekuluar me lajme totalisht të pavërteta. Sigurisht që Messi te Chelsea është një lajm që nuk ka asnjë lloj baze. Argjentinasi nuk do të transferohet në Stamford Bridge dhe për dicka të tillë të jeni të sigurt”.
Mourinho më pas foli edhe për Topin e Artë, një trofe të cilin nuk e vlerëson edhe aq shumë.
“Topi i Artë është një çmim individual që nuk i sjell asnjë të mirë futbollit. Kjo është edhe arsyeja se pse unë nuk dua t’ia di aspak për një trofe të tillë. Futbolli është një sport kolektiv ku titujt fitohen si skuadër dhe nuk ka pse të shpërblehet vetëm një futbollist. Unë kam në ekip dy lojtarë shumë të mirë si Fabregas dhe Hazard por ata nuk janë përfshirë në listën e futbollistëve kandidatë për të fituar Topin e Artë dhe ky fakt më gëzon pasi si Eden ashtu si Cesc mendojnë vetëm për skuadrën, përpiqen të luajnë sa më mirë në mënyrë që Chelsea të arrijë sa më shumë rezultate pozitive”.





