Jose Mourinho dhe Manchester United vazhdojnë të buzëqeshin në miqësoret e verës. “Djajtë e Kuq” mposhtën Realin e Madridit me penallti, në duelin e vlefshëm për International Champions Cup.Në “Levi’s Stadium” të Santa Klaras, United kaloi në avantazh me Lingard, i shërbyer në mënyrë të shkëlqyer nga Martial. Madrilenët barazuan shifrat me Casemiron me 11-metërsh, por kjo nuk mjaftoi, pasi penalltitë janë kthyer në makthin e skuadrës së Zinedine Zidane.
Në ekzekutimin nga pika e bardhë, Manchester United realizoi dy herë, ndërsa Reali vetëm një. Kjo edhe për meritë të portierit De Gea, prej kohësh një prej dëshirave më të mëdha të “Los Blancos” në merkato. Reali i Madridit realizoi vetëm një nga pesë penalltitë e ekzekutuara, ndërsa ishte pikërisht Casemiro ai bëri gabimin vendimtar, duke goditur traversën.