Brazil, 12 korrik 2014 – Joze Mourinho është nga ata trajnerë që i thotë jo edhe Brazilit. E përditshmja spanjolle “Marca” publikoi lajmin e bujshëm se teknikut portugez menjëherë pas humbjes së turpshme që 5-herë kampionët e botës pësuan nga Gjermania, i është ofruar stoli i Selecaos nga drejtuesit e Konfederatës Braziliane të Futbollit. Megjithatë përgjigja e trajnerit aktual të Chelsea-it ka qenë negative pasi ai dëshiron të vazhdojë aventurën e tij me “Blutë e Londrës. Gjithsesi sipas asaj që shkruan “Marca” vendimi i Special One për ti thënë jo Brazilit nuk është përfundimtar pasi ai mund të marrë drejtimin e skuadrës vetëm pak kohë përpara startit të Botërorit Rusi 2018. Ndërkohë që Mourinho që gjatë periudhës së Botërorit Brazil 2014 punon si komentator për Yahoo Sports, në një intervistë foli për finalen mes Argjentinës dhe Gjermanisë. Fillimisht 51-vjeçari portugez u përqëndrua te ylli i La Selecion, Lionel Messi.

“Messi nuk ka nevojë të fitojë Botërorin për tu njohur si një futbollist që ka bërë historinë, pasi edhe nëse e ja del të ngrejë lart trofeun e Kupës së Botës, unë mendoj se në historinë e gjatë të futbollit ka patur lojtarë më të mirë se ai. Maradona, Pele dhe Di Stefano kanë qenë futbollistë më të mëdhenj se Leo”.

Në vijim Mourinho analizoi Gjermaninë në prag të ndeshjes finale me Argjentinën.

“Superioriteti i tyre në krahasim me Argjentinën qëndron në mesin e fushës. Në atë repart ata kanë futbollistë të shkëlqyer Schweinsteiger, Kroos e Khedira ndërkohë që edhe Mueller e Ozil veprojnë pothuajse si mesfushorë. Gjermanët fitojnë një epërsi të madhe në krahasim me kundërshtarin pikërisht në këtë repart të fushës”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/