Një gol i anuluar i cili hapi polemika pas ndeshjes në Durrës, edhe pse në momentin e anulimit, lojtarët e Teutës nuk protestuan, pasi goli u anulua nga sistemi VAR. Por, ja që edhe VAR-i gabon. Fili tenton nga jashtë zone dhe topi shkon në rrjetë. Akordohet gol nga kryesori i FIFA-s Juxhin Xhaja.
Ndërkohë, lojtarët e Dinamos po protestonin, pasi sipas tyre Demirçani i Teutës gjatë goditjes së Filit, ishte në pozicion jashtë loje dhe në një vijë me portierin Sali, duke e penguar këtë të fundit të reagonte. Xhaja kërkon ndihmën e VAR-it, aty ku Olsion Yzeiraj me asistent Xhuljo Manin, pas disa sekondash, i komunikon kryesorit se duhet të anulojë golin për pozicion jashtë loje.
Vendim i nxituar, pasi nga pamjet shihet qartë që është këmba e Behiratçes që mban në lojë Demirçanin. Pas ndeshjes e pranoi edhe vetë Yzeiraj, teksa i kërkoi ndjesë trajnerit të Teutës.