Të gabosh një herë sigurisht që mund të jetë rastësi, por kur gabimet e arbitrave bëhen dy apo më shumë herë në dëm të një ekipi, sigurisht që lë një shije të hidhur. Dhe për Skënderbeun nuk është e para herë që i ndodhin gjëra të tilla në kompeticionin europian.
Në “play off” ndaj Dinamos së Zagrebit iu mohua një gol i rregullt Liridon Latifit, por që për fatin e korçarëve nuk ndikoi aspak në ecurinë dhe në kualifikimin e tyre për më tej në Ligën e Europës. Dje, gjyqtari Blum mohoi një penallti (prekje e topit me dorë në zonë nga Von Bergen) për ekipin e Skënderbeut, edhe pse rastet e dyshimta në zonën e Jang Bojsit ishin tre. Vendime që sigurisht ndikuan në ecurinë e ndeshjes dhe dëmtuan Skënderbeun në aspektin moral, por pse jo edhe atë financiar.
Momenti i parë i diskutueshëm ndodh në minutën e 25-të, kur sulmuesi Soue depërton në zonë pas një pasimi të Xhejmsit dhe portieri Balmos i ndërhyn për ta ndalur. Nga pamjet nuk kuptohet mirë nëse numri një i Jang Bojsit ka prekur fillimisht topin, por shihet që ka kontakt edhe me këmbën e sulmuesit të Skënderbeut. Afro dhjetë minuta më vonë ka një tjetër rast të diskutueshëm, kur pas krosimit nga e djathta mbrojtësi Von Bergen e prek topin me dorë. Më parë e kishte goditur me kokë, por dora e ngritur i devijoi rrugën topit. Korçarët pretenduan, por Blum vazhdoi lojën.
Dy minuta më vonë sërish Von Bergen pengon sulmuesin Soue, por këtë herë nuk kemi të bëjmë me 11- metërsh. Ndërhyrja ishte jashtë zone, por minimalisht duhet të ishte vërshëllyer faull. Rasti më flagrant ishte tre minuta përpara golit të barazimit, kur ka një tjetër prekje të topit me dorë në zonë nga ana e Jang Bojsit, por kryesori i ndeshjes nuk fërshëllen as këtë herë.
Si për çudi, në ndeshjen e djeshme rastet flagrante dhe të dyshimta nuk u ritransmetuan nga UEFA, diçka që nuk ndodh kurrë në ndeshje të këtyre niveleve. Mirëpo, nga sfida e “Elbasan Arenë”-s u transmetua vetëm prekja e topit me dorë nga ana e Von Bergenit dhe diçka e tillë ndodhi vetëm 5 ose 6 minuta me vonesë.





