Gjatë rikonstruksionit të një pallati në lagjen nr. 11 të dëmtuar nga tërmeti është rehabilituar edhe kati nëntokë i tij, ku ndodhet një monument mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të qytetit tonë, Mozaiku i Meandrit.
Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaron se i gjithë kati ku ndodhet mozaiku është riparuar, është kryer largimi i ujërave dhe është bërë pastrimi i plotë dhe dezinfektimi.
“Po kështu në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kemi kërkuar të realizohet zhvendosja e këtij mozaiku drejt Muzeut Arkeologjik të Durrësit në mënyrë që ai të vizitohet nga qytetarët dhe turistët e shumtë që vizitojnë qytetin tonë sepse ai është një aset tjetër më vlera të mëdha arkeologjike i Durrësit.
Mozaiku i Meandrit i punuar në teknikën bardhezi i përket shekullit të I të erës sonë dhe ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të diellit në lëvizje.
Ka formën e kryqit të thyer dhe pjesë të këtij simboli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve”, shkruan Sako krahas këtyre fotove.