TIRANE, 02 mars 2013 – MPJ shqiptare reagon pas incidenteve të ndodhura në Maqedoni, ku nxënësit shqiptarë u rrahën barbarbarisht, por edhe për përshkallëzimin e dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme. 

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë konsideron se akti i rrahjes barbare të nxënësve shqiptarë dhe përshkallëzimi i dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme në disa rajone të Shkupit në Republikën e Maqedonisë përbëjnë pamëdyshje jo vetëm akte kriminale të patolerueshëm, por edhe një tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietinike dhe demokratike”, thuhet në deklaratën e MPJ. 

MPJ shpreh shqetësimin e saj për rishfaqjen e incidenteve me sfond etnik dhe rritjen artificiale e tensioneve në Maqedoni, ndërsa kërkon nga autoritetet kapjen e autorëve të këtyre ngjarjeve. 

“MPJ duke uruar shërim të shpejtë dhe të plotë nxënësve e të rinjve shqiptarë të lënduar dhe duke shprehur solidaritet me familjet e tyre, dënon pa ekuivok dhe me forcë çdo incident e akt dhune. Apelojmë që autoritetet e vendit të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbulimin dhe dënimin e autorëve, si dhe të përkujdesën që këto raste mos të përsëritën. Forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla dhune. MPJ shpreh shqetësim se rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve e në Republikën e Maqedonisë, është sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në famijlen e Bashkimit Evropian dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve apo konflikteve etnike”, sqaron MPJ. 

“Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se dialogu konstruktiv, fryma e tolerancës, mirëkuptimit, si dhe bashkëpunimit efektiv mes të gjitha forcave të shoqërisë, për gjetjen e zgjidhjeve për çdo problem a situatë të brendshme të vështirë, është rruga e vetme në shërbim të stabilitetit të vendit, të integrimit të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike si interes madhor i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe rajonit gjithashtu”, përfundon deklarata.