Atalanta e Berat Gjimshitit dhe Etrit Berishës është një nga skuadrat surprizë të këtij sezoni në Serinë A. Zikaltërit mposhtën ditën e djeshme Lacion me rezultatin 1-3, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt vendit të 4-t, pozitë kjo që të çon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Një ecuri tepër pozitive për skuadrën e Gasperinit, e cila kërkon të përmbushë këtë mision fantastik. Pas triumfit ndaj Lacios në transfertë, tifozët e Atalantës i bënë një pritje madhështore skuadrës, duke dalë të shumtë në numër nëpër rrugët e qytetit, për të festuar bashkë me lojtarët.Mediat italiane raportojnë se mbi 4 mijë tifozë dolën mbrëmjen e djeshme për të pritur skuadrën pas suksesit të arritur në transfertë.