Për herë të parë në historinë 150-vjeçare të kopshtit zoologjik të Filadelfias, një çift breshkash gjigante të Galapagos kanë sjellë në jetë të vegjlit e tyre – në moshën 100-vjeçare.
Mommy dhe Abrazo, dy nga banorët më të vjetër dhe më të rrallë të kopshtit, janë bërë prindër të katër breshkave të vogla. Sipas kopshtit zoologjik, lindja e tyre është një arritje e madhe për përpjekjet e ruajtjes së specieve të rrezikuara nga zhdukja.
Veza e parë çeli më 27 shkurt dhe të vegjlit aktualisht po rriten të shëndetshëm në Shtëpinë e Zvarranikëve dhe Amfibëve, ku peshojnë rreth 70-80 gramë, sa një vezë pule.
Mommy, e cila mbërriti në Filadelfia në vitin 1932, është vlerësuar si një nga breshkat më të rëndësishme gjenetikisht në kuadër të programit për mbijetesën e specieve, të drejtuar nga Shoqëria e Kopshteve Zoologjike dhe Akuariumeve.
Kopshti ka njoftuar se më 23 prill do të prezantojë publikisht breshkëzat dhe do të hapë një konkurs për zgjedhjen e emrave të tyre.
