Tendinat e këputura janë lëndime të zakonshme që mund të kufizojnë lëvizjen për muaj të tërë, por një shpikje e re duket se do t’i japë fund periudhave të gjata të pushimit duke i rigjeneruar më shpejt.

Kur tendinat këputen, kirurgët qepin bashkë fundet e saj dhe mund të duhen deri në 6 muaj për të rifituar lëvizjen e plotë. Një metodë tjetër është të merret një tendinë nga një pjesë tjetër e trupit ose nga një dhurues, zakonisht nga gjuri ose në pjesën ku muskuli i kofshës lidhet me kockën.

Por nuk do të jetë më nevoja për këto. Sipas “Daily Mail”, shkencëtarët në Kinë kanë krijuar një lloj strukture që i lejon tendinat të rigjenerohen ndërsa pacienti vijon të jetë aktiv. Struktura elastike, e krijuar nga inde të gjalla, iu vendos minjve që kishin probleme me tendinat dhe ata mundën të ecnin normalisht pas dy javësh.

Shërimi i shpejtë erdhi si rezultat i kësaj shpikjeje novatore që është elastike, por edhe e fortë.  Materiali përbëhet nga fibra të holla kolagjeni dhe elementë të tjerë të përshtatshëm biologjikisht me organizmin.

Fijet u lidhën në një ‘litar’ në trajtë spirale njësoj si tendina. ‘Litari’ mund të zgjerohet 1.5 herë më shumë se gjatësia e tij në të paktën 40.000 prova. Mjekët kinezë kanë shprehur optimizëm për këtë risi, edhe pse kanë pranuar se do të duhen disa vite derisa ajo të implementohet te njerëzit.