Nga Myzejen Konduri

Kur e pashë lajmin shkruar në ekran për ndarjen nga jeta të Ikonës MARGARITA XHEPA , u trondita…e me vete më mori dhimbja.
Me gjurmët e Punës e Madhështisë së Roleve të realizuara prej saj, që kanë lënë gjurmë, do të mbetet mes nesh si dritë.

Ashtu e bukur, e thjeshte, buzagaz, fjalë ëmbël dhe e kudogjendur, do të shkëlqejë ne hierarkinë e vlerave, si ikonë e skenës & ekranit.

150 rolet në teatër dhe 32 në filma, me talentin e saj e imazhin e përkryer, janë ngulitur në mendjen e zemrën e të gjithëve. Miqësia me Artisten e Madhe, filloi para 40 vitesh.

E kudogjendur, kur e takova dhe e Ftova, në një prej veprimtarive që organizonte Institucioni i Bibliotekës që unë drejtoja në qytetin tim të vogël të Shijakut, Ajo, modestisht, pranoi dhe me disa komplimente të pakursyera, më çliroi nga emocionet. Para kësaj dive të skenës dhe ekranit, pas masivitetit dhe gjëmimit të zërit karakteristik me timber të veçantë e mesazheve që përcolli në atë takim, ajo la gjurmën e saj dhe te mua. Pas 10 vitesh, të takimit të parë, Znj. Margarita Xhepa, u vlersua nga Shoqata e Grave dhe Bashkia Durrës, me titullin ” SIMBOL I GRUAS”.

Takimin e Fundit, me miken e cmuar e pata në një aktivitet organizuar në Berat, ku për arsye pune, shkova pak me vonesë. Atje ishte prezent dhe ajo, 90-vjeçare…ashtu dinjitoze, e mahnitshme. Dua t’i sjell fjalët që i thashë atë ditë kur e takova ” Je e jashtëzakonshme! “

Margarita Xhepa, la gjurmë dhe në skenat e huaja, sic janë ato greke. Vlerësimet e çmimet për talentin e kontributin e dhënë, janë të merituara. Mrekullia Margaritë, “NDERI I KOMBIT”, do të mbetet në Panteonin e Artit Skenik dhe Frymëzuese për Artistët e Rinj.

S’mund të lë pa përmendur dhe 2 djemtë e saj, që e kishin bërë krenare. Ndriçimi që eci në gjurmët e nënës e shkëlqeu dhe Sokoli një Doktor i Përkushtuar.

Margarita Xhepa, magjia në rrugën e vështirë të artit, me shpirtin që thërret mes dhimbjesh do të mbetet ylli i pashuar i skenës & ekranit…

Muza e gjithë njerëzve të Artit.

Me përulësi, po i dedikoj dhe disa vargje…të ndjera:

Sot ngriu gëzimi
Lotët veshën sytë
Për Ty Mikja Ime,
E Madhja, Margaritë!
O Margaritar!
Perlë në krah të Vdekjes,
mërguar nga Malli ,
Hapi një çast sytë !
Shiko
Si ka ngrirë gëzimi!
O mbretëreshë e bukurisë!
O yll i shndërritshëm i skenës!
Të gjithë presin me dhimbje,
Të dalësh prej ëndrre…
Ekrani dhe Skena pëshpërisin ngrysur.
Si dikur do të mbesësh,
Në petale ëndrrash.