Mund të konsiderohet një mrekulli, ajo që ndodhi këtë të shtunë në Fier. 5-vjeçarja e cila u përplas nga një makinë rreth orës 11:10 të paradites, ka shfaqur shenja jete pas mbërritjes në spital, ndërsa më herët ishte deklaruar e vdekur. 

Fillimisht, në njoftimin e saj paraprak policia tha se e mitura kishte ndërruar jetë rrugës për në spital. Por pak kohë më vonë, në një reagim të dytë, policia e Fierit thotë se e mitura ka pësuar vdekje klinike dhe pasi mbërriti në spital falë ndërhyrjes së mjekëve ka shfaqur shenja jete.

"Fillimisht vajza është paraqitur pa shenja jete në Spitalin Rajonal Fier dhe dyshohet se ka pësuar vdekje klinike. Pas ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve të spitalit Fier, vajza ka shfaqur shenja jete. Aktualisht është duke iu nënshtruar të gjitha ekzaminimeve duke mbajtur në mbikëqyrje të vazhdueshme gjendjen e saj shëndetësore."