TIRANË – Situata epidemiologjike për gripin sezonal është relativisht në aktivitete të ulët, ndërkohë që java e dytë dhe fundi i muajit pritet të njohin një rritje të rasteve. 

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi, informoi sot në lidhje me situatën gripale në vend, duke paraqitur dhe të dhënat e fundit, sipas Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive. 

"Infeksionet respiratore dhe virozat e stinës në Shqipëri paraqesin aktivitet të ulët. Aktualisht numri i këtyre infeksioneve ka pësuar një rritje të lehtë, të pritshme për stinën, që vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe jemi shumë larg pragut epidemik", tha Roshi për mediat. Sipas tij, numri i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme, si dhe numri i diarreve pa gjak është më i ulët, se e njëjta periudhë e një viti më parë. Të dhënat flasin për rreth 9.800 raste me virozë, apo infeksione respiratore aktualisht. 

Në bazë të vlerësimit të EuroFlu, vendi ynë, si shumë vende të tjera të rajonit europian, paraqet aktivitet të ulët të infeksioneve respiratore, përfshi dhe gripin. 
Situata për gripin monitorohet përmes survejancës alert, survejancës së infeksioneve respiratore të rënda dhe asaj laboratorike, ku janë shpërndarë materiale për marrjen e mostrave në të gjithë vendin. ISHP ndërkohë apelon për mjekët të mos neglizhojnë marrjen e mostrave, raportimin e të gjitha rasteve të dyshuara, sidomos ato të rënda dhe të zbatojnë rekomandimet e MSH dhe ISHP. 

Roshi tha se "prej disa muajsh në treg qarkullon dhe vaksina e gripit, për të cilën popullata është njoftuar tashme për vaksinimin e grupeve vunerabël, që janë fëmijët nën moshën 5 vjec dhe grupmoshat e treta, të sëmurët me sëmundje të zemrës, diabetit dhe mushkërive".