TIRANE, 27 shkurt 2013TIRANË- Norma e lartë e lëndës së rrezikshme aflatoksinë në qumështin shqiptar ka detyruar sot Drejtorin e Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero të japë sqarimet përkatëse dhe hapat që do të marrë ky institucion. 

Pipero ka deklaruar se aflatoksina transmetohet tek njerëzit nga qumështi i bagëtive dhe sipas tij autoritetet e ISHP ndërhynë tek produket kur ka kontaminim të njerëzve. Pipero sqaroi se në vendin tonë nuk ka asnjë rast që vërteton infektimin me aflatoksinë. 

“Jemi para jush pas një fakti të bërë publik për mediat pas prezencës së aflatoksinës në qumësht. Fakti që u konstatua fillimisht në Kosovë nuk do të thotë se AKU dhe ISHP e kanë pasur jashtë vëmendjes së tyre mishin e qumështin. Autoritetet Shëndetësore ndërhynë kur ka informacione për shtim të helmimeve në njerëz, apo kur ka sinjalizime për prani të faktorëve të riskut, flas për hetim epidemiologjik”, tha ai. 

Pipero shtoi se, aflatoksinat janë lëndë toksike të prodhuara nga kërpudhat, aflatoksina B1 është më e rrezikshme. Dëmtimet që jep lidhen me mëlcinë që shkakton kancer ose cerozë. Në rastin e qumështit flitet për doza shumë të vogla, ne s’kemi pasur asnjë rast me probleme nga aflatoksina”, nënvizoi ai. 

Pipero bëri me dije më tej se autoritetet shëndetësore do nisin një hetim epidemiologjik, ku sipas tij do përfshihet si hetimi i mostrave të qumështit dhe hetimi i njerëzve që mund ta kenë konsumuar këtë qumësht për të parë nëse shfaqet apo jo ndonjë dëmtim tek ta. 

“Do hetohen të gjitha rastet me cerozë dhe kancer nëse ka patologji të shtuara nga konsumimi i qumështit, hetim epidemiologjik”, tha ai. 

“Ne do ti çojmë mostrat në Itali për të bërë matje cilësore, por hetimi epidemiologjik do vazhdojë”, shtoi Pipero.

Pak ditë më parë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka hequr nga tregu disa lloje të qumështit shqiptar. Kjo agjenci u ka kërkuar qytetarëve që të mos i blejnë këto produkte qumështi. Nisur nga ky fakt edhe AKU shqiptare nisi hetimet, prej të cilave u vu re prania e kësja lënde të rrezikshme në qumësht. 

Dy prej llojeve të qumështit që janë bllokuar janë "Primalat" dhe "Fast". Sipas njoftimit të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës janë bllokuar këto lloje produktesh: 
 

1. Qumësht “MEGGLE” 3.2% me datë të skadencës 23.06.2013 me origjinë nga BIH, 
2. Qumësht “Fast” 3.5% me datë skadence 03.06.2013 me origjinë nga Shqipëria 
3. Qumësht “Primalat” me origjinë nga Shqipëria, si 3.8% Data e sakadencës 05.08.2013 , Qumësht Primalat 1.5% ds. 10.03.2013, Qumësht Primalat 1.6% data sk. 04.04.2013 si dhe Qumështi Primalat 3.5 te dt. Skadencës 01.08.2013, 
4. Qumësht ZOTT 3.5% me datë skadence 10.06.2013 me origjinë nga BIH të cilat kanë qenë me data skadence të ndryshme si: 10.06.2013, 25.06.2013 20.05.2013, si dhe qumësht me 0.5% yndyrë me dt. Sakdence 05.07.2013 dhe qumësht 2.8% me datë skadence 05.07.2013 
5. Qumështi Dukat 2.8% yndyrë me datë skadence 12,05,2013 dhe Qumështi Dukat për kafe të gjitha seritë