Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar lidhur me rastin e raportuar nga media për braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre në qytetin e Durrësit.

Sipas deklaratës zyrtare, pas sinjalizimit të bërë ditën e sotme, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka marrë deklaratat përkatëse nga nëna, tre fëmijët dhe gjyshja e tyre.

“𝗗𝗲𝗸𝗹𝗮𝗿𝗮𝘁𝗲̈ 𝗽𝗲̈𝗿 𝗺𝗲𝗱𝗶𝗮

Durrës, 11 janar 2026 – Pas sinjalizimit nga media ditën e sotme, mbi braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit mori deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre.

Pak minuta më parë, tre fëmijët kanë mbërritur në Spitalin Rajonal Durrës, ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe veshmbathja e nevojshme.

Në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve.”, shkruan MSHMS.