Në kuadër të muajit të Diabetit, në një nga pikat më të frekuentuara të Durrësit, në shëtitoren “Taulantia” u organizua ditën e sotme depistimi i qytetarëve të ndryshëm.
Qëllimi i këtij aktiviteti, të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë, është rritja e ndërgjegjësimit në lidhje me diabetin, i konsideruar si një nga sëmundjet e shekullit.
“Ngritëm një çadër dhe nisëm të shpërndajmë informacione në lidhje me këtë sëmundje të shekullit. Gjatë aktivitetit u shpërndan fletëpalosje të cilat flasin për uljen e rrezikshmërisë për t’u shfaqur diabeti, për ushqimin dhe për aktivitetin fizik”,– tha për DurrësLajm Nebi Muça, drejtor i qendrës vullnetare për emergjencat civile të Shqipërisë.
Stafi mjekësor dhe vullnetarët kreu matje falas të nivelit të sheqerit në gjak dhe njëkohësisht informoi të gjithë qytetarët e interesuar lidhur me rreziqet e kësaj sëmundjeje dhe kujdesin që duhet të tregojnë për të parandaluar rrezikun nga prekja e tij.
Ndalesa në Durrës ishte e para, ndërkohë që aktivitete të ngjashme do të zhvillohen edhe në qytete të tjera të vendit.





