Mbi 280 mijë udhëtarë kanë shfrytëzuar tragetet nga Durrësi drejt Barit, Ankonës dhe Triestes dhe anasjellas gjatë muajit gusht të këtij viti.
Sipas të dhënave operative të Autoritetit Portual Durrës, gjatë muajit që sapo u mbyll, bashkë me udhëtarët tragetet kanë transportuar mbi 66 mijë autovetura, si dhe 5 mijë kamionë dhe trajlerë me mallra të ndryshme gjithsej.
Shtatë tragete kanë lundruar në të dy anët e Adriatikut duke u shërbyer dhjetra mijë turistëve të huaj, si dhe bashkatdhëtarëve që pushuan pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.
Sipas të dhënave operative të APD-së, gjatë muajit gusht 2019 në portin e Durrësit kanë mbërritur 120 mijë udhëtarë me mbi 29 mijë autovetura, ndërsa janë nisur drejt Barit, Ankonës dhe Triestes 160 mijë udhëtarë të tjerë me 37 mijë autovetura gjithsej.