Tetori, në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Në kuadër të kësaj fushate kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka vizituar një nga fasoneritë e qytetit me qëllim ndërgjegjësimin e grave e të vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit.
Përmes një postimi në “Facebook”, Sako shkruan se kanceri i gjirit është një sëmundje e rrezikshme, por mund të trajtohet dhe të evitohen pasojat në rast se diagnostifikohet herët.
Gjithashtu kryebashkiakja Sako “fton të gjitha nënat, vajzat, motrat që të bëjnë kontrollin mjekësor për të parandaluar këtë sëmundje.”
Postimi i plotë:
Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit.
Në kuadër të kësaj fushate vizitova një nga fasoneritë e Durrësit me qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e grave e të vajzave për parandalimin e kancerit të gjirit. Vëmendja dhe qasja e Bashkisë së Durrësit ka qenë ofrimi dhe zgerimi i shërbimeve për gratë dhe fëmijët duke i bërë pjesë në buxhet në lidhje me kujdesin ndaj grave dhe fëmijëve.
Lufta kundër kancerit të gjirit është beteja jonë e përbashkët, është beteja për jetën. Kanceri i gjirit mbetet një sëmundje e rrezikshme, por fatmirësisht mund të trajtohet dhe të evitohen pasojat, në rast se diagnostikohet herët.
Shëndeti për çdo vajzë, grua dhe nënë është i rëndësishëm për një shoqëri të shëndetshme.
I ftoj të gjitha nënat, vajzat, motrat që të bëjnë kontrollin mjekësor për të parandaluar këtë sëmundje.