Nga Gertjana Daçi

Muaji i shenjtë i Ramazanit ka bërë bashkë kandidatët për deputetë të maxhorancës dhe opozitës në Durrës.

Keida Ferra ka shtruar mbrëmjen e të enjtes një darkë iftari me kandidatët për deputetë nga Partia Socialiste, koalicioni “Aleanca për Ndryshim”, të cilët agjërojnë si dhe përfaqësues të besimit mysliman, prof.Muhamed Shehi dhe At Spiro Kostoli e At Gjerasim Cakalli përfaqësues të besimit ortodoks në Durrës.

Kundërshtarë në fushatë, por bashkë në respektimin e sakrificës së njëri-tjetrit në këtë muaj të bekuar, Keida Ferra dhe Jurgis Çyrbja nga PS si dhe Agim Baçi e Florian Tahiri nga “AN”, shfaqin harmoninë politike në një kohë kur situata është e tensionuar në disa qarqe të vendit në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.

Si Ferra edhe Çyrbja mbajnë Ramazan ndonëse nuk janë praktikantë të fesë myslimane. Natyra kurioze e kandidates socialiste e ka shtyrë atë drejt librit të shenjtë, Kuranit, 6 vite më parë dhe leximi i tij ndikoi tek ajo që të merrte vendimin për të agjëruar që të mund të përfitojë dobitë që sjell ky akt sakrifice.

“Duke lexuar kupton më shumë dhe krijon bindjen.”, thotë ajo.

Ashtu si shumë të tjerë, edhe Keida e ka nisur me agjërimin e natës së Kadrit, e më pas ka vijuar me shtimin e ditëve derisa ka arritur të mbajë Ramazan të gjithë muajin. Ndërsa për deputetin dhe kandidatin Çyrbja ky është viti i dytë që agjëron.

“Ndoshta nuk e dini dhe nuk kam pranuar ta bëj publik besimin tim, duke qenë se është shumë personale si zgjedhje.“, thotë ai për “DurrësLajm”, teksa tregon se ky vendim “ka ardhur pikërisht si rezultat i besimit që unë kam ndaj fesë Islame dhe vendosa ta bëj pjesë të përkatësisë sime fetare.”

Si për Ferrën, edhe për Çyrbjan, angazhimet politike me takime të shumta në terren nuk e kanë vështirësuar misionin e tyre për të shlyer një nga detyrimet e fesë myslimane, agjërimin.

“Pavarësisht se jemi në fushatë elektorale, ia kam dalë me sukses t’i përballoj vështirësitë që imponon kjo situatë”, shprehet deputeti socialist ndërsa iu uron besimtarëve agjërim të lehtë e të pranuar.

Kujtojmë që pak ditë më parë, në një intervistë për “DurrësLajm” kandidatët opozitarë, Florian Tahiri dhe Agim Baçi rrëfyen lidhjen dhe ndikimin e fesë myslimane, mbi agjërimin në kohë fushatë dhe qetësinë shpirtërore që kanë gjetur në Islam, duke qenë praktikantë të devotshëm.