Në xhaminë e madhe të Durrësit, përgjatë muajit të Ramazanit, vihen re shumë më tepër besimtarë, që e frekuentojnë atë. Madje nuk mungojnë as të rinjtë, përkushtimi i të cilëve përgjatë këtij muaji duket se është edhe më i madh.
Amir Latifi është vetëm 16 vjeç, por ky është viti i dytë, që po e agjëron gjithë muajin e Ramazanit. Në klasën e tij, ai nuk është i vetmi.
“Duke mos ngrënë, je më i kthjellët. Mund të merresh më shumë me mësimet, je më i zhdërvjellët të bësh gjërat që do të të kërkonin më shumë kohë. Në klasën time jemi 5-6 nxënës, që agjërojmë, djem dhe vajza”.
Ndërsa Dejvid Kapllani, futbollist me ekipin e Kastriotit, pavarësisht seancave të gjata stërvitore dhe ndeshjeve në kampionat agjëron prej disa vitesh tashmë.
“Teorikisht është e vështirë, sepse ne stërvitemi. Në profesionin tonë neve na duhet ushqimi, na duhet uji, vitaminat, proteinat etj. Por në këtë muaj të madhërueshëm të Ramazanit është mrekulli e Zotit, që ta lehtëson aq shumë, saqë edhe ne vetë nuk e besojmë sesi na shkojnë gjërat shumë mirë dhe shumë shumë mbarë. Nuk jam i vetmi futbollist, që agjëroj tek ekipi im”.
Agjërimi, si një nga 5 shtyllat e fesë islame është një obligim për cilindo mysliman, pas moshës së pubertetit. Por a duhet agjëruar thjesht dhe vetëm sepse është kthyer edhe në një trend të kohës apo duhet parë si një nevojë shpirtërore, për të qenë më pranë Allahut?
“Pjesa e agjërimit thjesht nga ana fizike, për të mbajtur trupin në formë nuk është e duhura sepse siç e thotë edhe imami në xhami ne nuk agjërojmë vetëm për të hequr ushqimin dhe ujin, por duhet të ushqejmë edhe shpirtin, duhet të agjërojmë syrin gojën etj”.
Falja e xhumasë, siç njihet mes besimtarëve, e gjen përherë plot xhaminë e madhe të Durrësit. Për imamin Ervin Qylafku, vit pas viti, gjithnjë e më shumë të rinj ndjekin ritet fetare.
“Ka marrë përmasa më të mëdha, masive. Ne e konstatojmë edhe gjatë faljeve, ose tek iftaret e përbashkëta. Ka një pjesëmarrje më të madhe.’
Agjërimi i muajit të Ramazanit përmbyllet me Fiter Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam. Ai nënkupton gjithashtu rikthimin e besimtarëve në rutinën e përditshme ushqimore si dhe gjumit të natës si më parë.
M.B.





