Moti i ngrohtë dhe dita e pushimit i riktheu durrsakët pranë dashurisë së tyre, detit.
Megjithëse jemi në ditët e para të muajit prill, guximtarët nuk nguruan për t’u kredhur në ujërat e Adriatikut.
Shëtitorja “Taulantia”, paraditen e kësaj të hëne ishte plot e përplot me qytetarë, disa prej të cilëve shijonin banjot e diellit e të tjerë shëtitjet dhe lokalet buzë detit.
E ndërsa vendasit i gëzoheshin temperaturave pranverore, turistët e huaj, të shumtë në numër, vizitonin disa nga sitet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike të qytetit 3000-vjeçar.
Të shoqëruar nga guidat turistike, të huajt ndalen në disa nga destinacionet më të rëndësishme të qytetit, si Muri Rrethues, Torra Veneciane, Amfiteatri etj.
Mos hapja e Muzeut Kombëtar Arkeologjik dhe Muzeut Etnografik të Durrësit i ka privuar 3 vitet e fundit turistët e huaj të njihen me të gjithë potencialin e trashëgimisë kulturore që kryeqyteti shqiptar i turizmit disponon.
Pritshmëritë e tur operatorëve për sezonin turistik janë të mira, sepse Shqipëria dhe Durrësi mund të kthehen në muajt në vijim në një destinacion mjaft të kërkuar për t’u vizituar nga evropianët, kjo edhe për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Destinacione si Turqia dhe vendet arabike nuk klasifikohen tani si vende të sigurta, për këtë arsye, Shqipëria mund të regiistrojë sërish një boom turistik. Njëkoëhësisht, fqinjët tanë përtej Adriatikut, italianët, mund ta shohin vendin e shqiponjave si një destinacion për t’u vizituar, kjo edhe për shkak të paketave turistike mjaft të leverdishme.
M.B.





