TEPELENE – Që prej 16 vjetësh një çift i moshuar nga Tepelena presin që organet e drejtësisë të zbulojnë dhe të vënë në pranga vrasësin e vajzës së tyre. Muharrem dhe Bukurie Meraj, pohojnë se nuk mund të ikin nga kjo botë pa e ditur se kush ua vrau vajzën 25-vjeçare, e cila ishte shtatzënë 9- muajshe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në maj të vitit 1997 në fshatin Zhapokikë të rrethit të Tepelenës. Yllka Caca (Meraj) ishte duke mbyllur punët e shtëpisë në orët e mbrëmjes, kur persona të panjohur e qëlluan për vdekje në oborrin e shtëpisë së saj. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", babai i 25-vjeçares shprehet se vajza e tij priste të lindte, ndërsa kriminelët i morën jetën. Ai shprehet se Yllka vdiq bashkë me fëmijën në bark, ndërkohë që drejtësia nuk ka bërë asgjë deri tani për zbulimin dhe arrestimin e tij. 75-vjeçari thotë se nuk dyshon tek asnjë person, pasi në të kundërt ai do të bënte vetëgjyqësi dhe gjakun e vajzës do e merrte vetë.
 

Z.Muharrem, çfarë ka ndodhur në familjen tuaj?

Jam nga fshati Zhapokikë i Tepelenës, ndërsa prej vitesh jam transferuar brenda në qytet ku edhe jetoj me bashkëshorten time. Kam humbur një vajzë në lule të rinisë, dhimbje më e madhe për ne si prindër nuk ka. Edhe sot qajmë si të ishte e njëjta ditë kur morëm vesh lajmin e kobshëm. 
 

Kur ka ndodhur ngjarja?

Vajza ime Yllka vetëm 25 vjeçe, ishte martuar në Zhapokikë, atje ku në atë kohë jetonim edhe ne. Ajo kishte një djalë të vogël dhe priste të bëhej nënë për të dytën herë. Ishte në muajin e 9-të të shtatzënisë dhe ne prisnim t'i gëzoheshim sërish një fëmije. Por Zoti nuk deshi, e vranë me fëmijën në bark. Unë isha në shtëpi atë natë, ndërsa në shtëpinë e vajzës kishte shkuar për darkë edhe djali im, i cili sapo ishte kthyer nga Greqia. Vajza kishte gatuar tërë darkën në errësirë, pasi kishim dy ditë pa drita. Rreth orës 21:00, kur brenda ishte shtruar darka, ajo kishte dalë në oborr, pasi kishte lënë kotecin e pulave hapur. Në këtë kohë janë dëgjuar tre-katër krisma, të cilat i kemi dëgjuar dhe ne në shtëpinë tonë, që jetojmë në lagjen e përtejme. Burri i Yllkës dhe djali kanë dalë në oborr, ndërsa e panë vajzën të shtrirë përtokë. E morën dhe e futën në shtëpi. Djali i hoqi rrobat e trupit dhe pa se kishte marrë tre plumba. Edhe sot është i shokuar. 
 

Çfarë ndodhi më pas, ju si u njoftuat?

Një nipçe i dhëndrit erdhi me vrap na njoftoi. Me makinën e tij nisëm ta transportonim Yllkën drejt spitalit të Tepelenës. Ishte e tmerr-shme; vajza rënkonte, ndërsa ne nuk mund t'i ndalonin gjakun. Shumë herë më pyeti "ba, kush më vrau?", pyetje që s'munda kurrë t'i jap një përgjigje. Në spital mbërritëm më vonë. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, ajo vdiq me fëmijën në bark. S'mundëm ta shpëtonim. Dhimbje më të madhe nuk ka për ne si prindër. 
 

A u kryen hetime për gjetjen e autorit të krimit?

Fillimisht ngjarja u la në qetësi dhe më pas mora vendimin për denoncimin e saj. Policia dhe prokuroria nisën hetimet, por ato u mbyllën shumë shpejt, pa na dhënë një përgjigje dhe pa u gjetur autorët. Kam kërkuar shumë herë zbardhjen e vrasjes së sime bije, por deri tani drejtësia nuk ka bërë asgjë. Në dyert e Komisariatit të Policisë së Tepelenës jam bërë si i "shtëpisë" duke trokitur çdo ditë, por askush nuk merret me këtë çështje. Më ka ngelur peng që s'mund ta di kush më mori jetën e vajzës. 
 

Dyshoni tek ndonjë person për vrasjen e vajzës suaj?

Nuk kam asnjë dyshim, ndryshe do të bëja vetëgjyqësi për gjakun e vajzës. 
 

Cili është apeli juaj pas 16 vjetësh nga ngjarja?

Kam vetëm një, atë që tashmë më mundon prej 16 vitesh, të gjej vrasësin e sime bije. I kam shkruar letër kryeministrit, Avokatit të Popullit e shumë instancave të larta në lidhje me këtë çështje. Jam prind, dhe bashkëshortja ime gdhihet e ngryset me lot mbi foton e vajzës, edhe të një fëmije që iu vra në bark. Kush e fal këtë krim çnjerëzor mbi një nënë shtatzënë?! Kërkoj drejtësi, asgjë më shumë.