TIRANE, 13 prill 2013– Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i shumë diskutuar ditët e fundit, z Ilirjan Muho deklaroi sot se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ai tha se është në ushtrim të plotë të kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese.
“Ju them se unë jam anëtar i KQZ, para fillimit të detyrës kam bërë betim për profesionalizëm, për zgjedhje transparente ne Kuvend. Nuk jap dorëheqjen se jam në ushtrim dhe funksion të detyrës sime”, tha Muho jashtë ambienteve ku sot KQZ po kryente testin e numërimit elektronik të votave, projekt pilot që pritet të zhvillohet për herë të parë më 23 Qershor në Fier.
Lidhur me deklaratat e fundit politike mbi qëndrimin e tij në KQZ, ai tha se nuk mund të bej komente dhe deklarata të mëtejshme, ndërsa theksoi se është në dijeni të kërkesës për shkarkimin e tij.
"Nuk mund të bëj deklarata politike për subjektet politike, këto janë komente dhe deklarata që për shkak të funksionit që kryej nuk mund të bëj komente".
Muho tha se është propozuar nga LSI-ja, por në momentin që është votuar në Parlament për të qenë pjesë e KQZ-së, ai është betuar para Kuvendit për të treguar paanësi gjatë detyrës.
“Jam anëtar i KQZ. Është i vërtetë fakti se jam kandidaturë për LSI, por në momentin e përzgjedhjes së kandidaturës sime gjeti mbështetje dhe tek mazhoranca e asaj kohe. Pas seleksionimit të kandidaturave u paraqit kandidatura ime dhe në fillim të detyrës u betova para Kuvendit për punën time. Hiqem nga ligji dhe vetëm nga ligji”.
Ilirjan Muho i bëri këto deklarata gjatë kohës që KQZ-ja po zhvillonte testin e parë të numërimit elektronik të votave, i cili do të aplikohet në qarkun e Fierit në zgjedhjet e 23 qershorit.
Votimi për ndryshimet në KQZ, pritet të jetë kryefjala e seancës plenare të së hënës, pas dështimit të mbylljes së kësaj procedure të enjten dhe deklaratave të forta ndërkombëtare.
E në fakt zëvendësimi i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i emëruar nga Lëvizia Socialiste për Integrim, Ilirian Muho, ka qenë kryefjala e javës që sapo mbyllëm.
Gjithçka nisi nga një propozim i kryesisë së Partisë Demokratike drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht Komisionit të ligjeve, ku kërkohej lirimi nga detyra i Muhos, me argumentin se largimi i LSI-së nga koalicioni Qeverisës i heq të drejtën e të pasurit një anëtar në KQZ, pasi cënon mbarvajtjen e zgjedhjeve nga ana e Qeverisë, për shkak të prishjes së balancit politik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioni i ligjeve e pranoi kërkesën e Partisë Demokratike, duke e kaluar në seancën plenare diskutimin për lirimin nga detyra të Anëtarit të KQZ, Ilirian Muho dhe duke kërkuar zëvendësimin e tij me një nga emrat e propozuar nga Partia Republikane, si partia e dytë për nga votat e marra në zgjedhjet e 2009-ës për nga votat, në krahun e maxhorancës.
Kryesia e Kuvendit në miratimin e programit javor të punimeve, vendosi shqyrtimin e kësaj çështje ditën e hënë, datë 15 Prill 2013.
Reagimet lidhur me këtë kërkesë të PD-së nxiti shumë debate, me deklarata të rëndësishme të spektrit politik dhe diplomatik të vendit.





