Kreu i degës së Partisë Demokratike, dega Durrës, Ardian Muka, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale ndaj anëtarit të kryesisë së PD, Ervin Salianji dhe takimit të mbajtur në qytetin bregdetar pak ditë më parë.
Ndërsa hedh poshtë akuzat se është ortak në biznes me ish-kryetarin e bashkisë Durrës, Vangjush Dako, Muka nënvizon të gjitha herët kur ka qenë përballë PS-së, qoftë në procese zgjedhore, në beteja qytetare, apo si një zë i fortë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
Kreu i degës së PD-së ndalet në postimin e tij në akuzat ndaj disa aksioneve të ndërmarra nga Salianji në vitet e fundit, por edhe në takimin e organizuar në Durrës, ku Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti u takuan me bazën e partisë opozitare.
Muka shprehet se këta persona nuk janë pjesë e strukturave të PD-së durrsake.
“Shume ndryshe nga zoteria qe pret pergjigje ,qe tek demokratet e Durresit do mbahet mend,:
-si negociatori i shitjes se zgjedhjeve vendore te 2015 ,
-si koordinatori i percarjes se votave demokrate ne zgjedhjet vendore 2022
-si prishesi i procesit te denoncimit qe Pd pergatiste ndaj kryetarit Xhafaj te komisionit te ligjeve , per berje ligjesh ne parlament ne favor te vellait kontrabandist ,me Babal- lleqet e tij
-dhe tani duke shperqendruar fokusin e betejes se demokrateve nga Balluku -Rama tek sallat e mbushura nga drejtues dege, qe tradhetuan interesat e demokrateve ne zgjedhjet e 2025 ,me punetore rimorkiatoresh, taksiste ,roje siguritie ,etj te gjithe zonja e zoterinj te nderuar, por qe nuk kane asnje lidhje strukturore me PD e Durresit”-, shkruan Muka.
Postimin e tij, Ardian Muka e mbyll duke e akuzuar anëtarin e kryesisë si personin që goditi me shkop demokratët.
“Cfaredo te ndodhe , ti z.Salianji, do mbahesh mend si njeriu qe me shkop ne dore ke goditur demokratet qe mendonin ndryshe nga ju !!!”—e mbyll Muka postimin e tij.





