Gjatë takimeve që kandidati i koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë”, Ardian Muka, ka bërë me qytetarët në sheshin “Liria”, ka folur me disa prej tyre pikërisht për një ndryshim të vogël që do t’i bëjë këtij sheshi që durrsakët të mos rrëshqasin ditëve me reshje shiu.

“Sheshi riparohet, se me e heq kërkon lekë që po ne do t’i paguajmë. Ka makineri që e bëjnë të ashpër, që po të bjerë shi nuk do thyejmë qafën”, tha Muka.

Ndërkohë me disa qytetarë të tjerë të moshës së tretë, kandidati për kryebashkiak i tregon se vetë ai ka protestuar si për shatërvanin, edhe për Velierën. Për këtë të fundit ka edhe një ide se çfarë mund të bëhet me Velierën ende të papërfunduar, nëse populli durrsak bie dakord me referendum:

“Tani vetëm një zgjidhje ka: Referendum qytetar. Do ta bëjmë që të shprehemi të gjithë, e vendosin qytetarët: Nëse na pëlqen do ta mbajmë. Nëse nuk na pëlqen, e çmontojmë nga aty dhe e vendosim te zona industriale, vendosim atë hekur të madh në hyrje të zonës industriale. Vetëm na ka bërë dëm ajo punë”.