Këshilltari demokrat i Durrësit, Shkëlqim Fortuzi, njëkohësisht edhe lektor në universitetin "Aleksandër Moisiu", ju rikthye çështjes së plehrave në Porto Romano.
"Pavarësisht se kemi tre muaj që votuam për shpalljen e emergjencës, plehrat po digjen në të njëjtin vend, dhe tymi po helmon 20 mijë studentë dhe banorët e Durrësit, ky tym po del deri tek Ura e Dajlanit," pohoi Fortuzi.
Kreu i këshilltarëve të PS-së, Alfred Mullaraj përsëriti atë çka tha kryeministri Edi Rama kur vizitoi fushën e mbetjeve urbane në Durrës.
"Porto Romano do të kthehet në një park për fëmijët dhe plehrat e Durrësit do të kenë si destinacion inceneratorin e Sharrës."
Pak ditë më parë bashkia e Durrësit bëri me dije se i ka kaluar me shkresë Komitetit të Integruar të mbetjeve, shpalljen e emergjencës mjedisore për shkak se bashkia nuk ka fonde. Ky komitet i cili varet nga Kryeministria, ende nuk ka marrë vendim apo nuk ka dhënë asnjë alternativë deri tani.
Po kështu, në Këshillin Bashkiak u debatua në lidhje me transparencën e fondeve të miratuara për Rrugën “Egnatia” dhe zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës nga këshilltarja e LSI-së Edlira Hyseni dhe i demokrati Armand Teliti.
Hyseni tha se për 500 metra rrugë po kërkohet një milion euro fond, ndërsa Teliti tha se po abuzohet me prerjen e pemëve dhe shtrimin e trotuareve me mermer me fondet publike.
Si asnjëherë më parë, të djathtë e të majtë kanë votuar pro të 17 projektvendimet e Këshillit Bashkiak të Durrësit në një mbledhje ku mungonte kryetari Vangjush Dako.
K.H.





