3 dhjetor 2014 – Tomas Muller rreshtohet përkrah Neuer në garën për Topin e Artë. Natyrisht që dicka e tillë nuk është befasia e ditës, duke qenë se të dy janë shokë skuadre si te Bajerni i Mynihut ashtu edhe në kombëtaren gjermane, por gjithsesi fjalët e trekuartistit të Bajernit dhe golashënuesit më të mirë të Gjermanisë në Brazil 2014, meritojnë të dëgjohen.
“Do të ishte e drejtë që Topi i Artë të fitohej nga Manuel. Nëse fiton sërish Ronaldo do të ishte dicka e mërzitshme, Neuer është aty mes kandidatëve, pasi ai u shpall Kampion Bote dhe ka treguar se është brillant”.
Por shigjetat e Muller nuk mbarojnë vetëm për Ronaldon, pasi ruan një të tillë dhe për kandidatin tjetër në garë, Lionel Messin. “ Në vend të tij mund të ishte dikush tjetër. Mendoj për Robben që ka luajtur një sezon të jashtëzakonshëm, apo për lojtarë të tjerë të kombëtares gjermane që do ta kishin merituar që të ishin në finale. Sa për mua këto zgjedhje nuk janë të rëndësishme, pasi e shikoj veten si një lojtar skuadre”. Më pas Myller foli edhe për rivalët e Borusias së Dortmundit, në krizë të thellë rezultatesh dhe në vendin e fundit të klasifikimit të Bundesligas. “ Më shumë se i surprizuar do të thoja se jam i shokuar për situatën e Borussias. Si vëzhgues i jashtëm nuk arrij ta kuptoj se si mund të gjendet në atë pozicion. Shpresoj që Borussia e Dortmundit të fitojë shumë pikë dhe të shpëtojë pasi qëndrimi i saj në Bundesliga është i rëndësishëm për gjithë futbollin gjerman”.





