Një histori e pazakontë ka tronditur Italinë. Një burrë maskohej si nëna e tij e vdekur për të vijuar të merrte pensionin, raportojnë mediat e vendit fqinjë.

Punonjësja e gjendjes civile zbuloi mashtrimin, teksa ‘zonja’ kërkonte rinovimin e kartës së identitetit.

Hetimi çoi policinë në një dhomë ku u gjet trupi i mumifikuar i nënës, i ruajtur prej vitesh.

Flokë të shkurtra femërorë, një këmishë me motive të viteve ’70, grim i lehtë dhe varëse me perla.

Në pamje të parë, një zonjë e moshuar, shkruan Corriere della Sera u shfaq para sportelit të gjendjes civile në Borgo Virgilio, pranë Mantovës.

Por punonjësja e komunës dyshoi menjëherë, sepse pudra e trashë nuk arrinte të fshihte faktin se lëkura ishte mashkullore dhe se ‘zonja’ dukej shumë më e re për të qenë 85 vjeç.

Ajo njoftoi eprorët, dhe së bashku me policinë nisën një hetim. Fotografia e re e ‘zonjës’ u krahasua me kartën e identitetit të vjetër.

Ngjashmëria në veshje dhe stil ishte e njëjtë… por fytyra nuk ishte e së njëjtës grua.

Pas pak, u zbulua se personi para sportelit nuk ishte Graziella Dall’Oglio, por djali i saj, një infermier i papunë, i cili prej vitesh e imitonte të ëmën për të marrë një pension prej rreth 53 mijë eurosh në vit.

Ai paraqiste çdo vit deklaratat e të ardhurave në emrin e nënës, ndërsa familja përfitonte të ardhura të konsiderueshme nga pasuria dhe pensioni i bashkëshortit të ndjerë, mjek me profesion.

Kur policia kërkoi të kontrollonte banesën, burri nuk kundërshtoi. “Bëni si të doni,” tha ai. Dhe aty ndodhej fundi i makthit: në një dhomë, e mbuluar dhe e ruajtur prej vitesh, ishte trupi i mumifikuar i nënës.

Një histori që ka habitur Italinë dhe ka ngritur pyetje për kontrollin e pensioneve, sistemin e identifikimit dhe kufirin mes kriminalitetit e çmendurisë.