Përfaqësues të shoqatave para-tetraplegjike dhe të verbërve në Durrës kanë shfaqur për herë të parë një dokumentar në qëndër të qytetit ku protagonistë ishin vetë ata, duke shpalosur vështirësitë me të cilat përballen në jetën e përditshme.

Qyteti i Durrësit numëron 11.883 persona me aftësi të kufizuar të cilët çdo ditë përballen me kushte të vështira apo pamundësi për të lëvizur lirshëm në qytet.

Transporti publik, parkimet e rezervuara, përshtatshmëria e rrugëve dhe trotuareve, aksesi në institucionet apo sportelet publike janë vetëm disa nga problemet që hasen çdo ditë për shkak të mungesës së zbatimit standardeve të përcaktuara me ligj.

“Citizens Channel” ka zhvilluar një seri dokumentarësh të shkurtër të titulluar “Mundësi për të gjithë”, duke treguar përmes imazhit vështirësitë e personave me aftësi të kufizuara nga sytë e vetë protagonistëve.  

Të gjithë të interesuarit, qytetarë, aktivistë, organizata joqeveritare, përfaqësues institucionesh që duan të njihen më shumë me qasjen ndaj kësaj problematike dhe ta adresojnë atë drejt një zgjidhjeje ishin të ftuar në këtë aktivitet.

Citizens Stories mbështetet financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë.