Fakulteti i Infermierisë në Universitetin “Aleksandër Mosiu” në Durrës, i cili numëron rreth 800 studentë në këtë degë, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me një prej spitaleve në Mynih të Gjermanisë.

Mjeku reanimator i spitalit gjerman Dr. Hasan Simnica, në kuadër të kësaj marrëveshjeje ka mbërritur në Durrës së bashku me një mjeke nga Mitrovica, të cilët kanë marrë përsipër trajnimin e infermierëve të rinj, tek pacientët në fazën reanimatore. Mjekët sollën eksperiencën më të re të protokolleve që aplikohen në Gjermani dhe në Europë në reanimimin e pacientëve.

Një reanimim jo korrekt është fatal për jetën e pacientit, por reanimimi i duhur i pacientit, dhënia e ndihmës së shpejtë dhe efikase parandalon mundësinë e fikjes së jetës.

Pirro Prifti, dekan i Fakultetit të Infermierisë, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje i hap rrugë mundësive të reja për punësimin e studentëve në Gjermani, por edhe i shërben shumë formimit të tyre shkencor.

Mjekja nga Mitrovica, Sanije Sekiraqa ka trajnuar studentët e Durrësit të cilët kanë parë nga afër mjete dhe pajisje që përdoren për ndihmën e shpejtë.

K.H.