19 janar 2015 –  Hartës së sportit ndërkombëtar i është bashkuar së fundmi edhe Federata Kosovare e Mundjes. Por, për koincidencë, presidenti i Federatës Botërore të Mundjes (UWW), është serbi Nenad Laloviç, i cili ka dhënë OK-in së bashku me bordin drejtues që edhe Kosova të jetë pjesë e familjes botërore. Lajmi është bërë zyrtar edhe në faqen e federatës botërore pas takimit të zhvilluar më 16 janar në Lozanë të Zvicrës. Pas finalizimit, federatës e Kosovës e çon në 179 numrin e federatave në UWW me të drejta të plota. Ndërkohë ky vendim i ndërkombëtarëve është përshëndetur edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala. Në deklaratën për shtyp ministri Shala përgëzon mundësit për këtë arritje të madhe, duke u uruar suksese në eventet e ardhshme.

“Sporti i mundjes ka një traditë në vendin tonë dhe pranimi i FMKsë është një lajm i mirë. Është tepër e rëndësishme që kësaj federate i janë hapur dyert për gara në ngjarjet ndërkombëtare. Ky është kurorëzim i një pune dhe angazhimi të shumë njerëzve. Pranimi i FMKsë në Federatën Botërore të Mundjes është një inkurajim shtesë për institucionet e sportit dhe ky pranim ka shënuar edhe një hap tjetër drejt ndërkombëtarizimit të plotë të sportit të Kosovës. MKRS mbetet e përkushtuar të punojë që vendi ynë të prezantohet sa më me cilësi në garat ndërkombëtare”, thuhej mes të tjerash.