Vetëm disa ditë pasi uli siparin kampionatit kombëtar për të rritur, mundja shqiptare iu rikthye garave ndërkombëtare, këtë herë me moshat.

Kështu Shqipëria ishte pjesë e kampionatit Mesdhetar dhe Ballkanik për kategoritë U-15, Kadet dhe Junior i zhvilluar në Ksanthi të Greqisë.

Kombëtarja jonë u përfaqësua me 13 sportistë, të cilët garuan në stilin greko-roman dhe atë të lirë nën drejtimin e trajnerëve Ermal Kryeziu, Ilir Cani dhe Sinan Trimi.

Shqipëria bëri një paraqitje mjaft të mirë në këtë kompeticion, ku arriti të fitojë 7 medalje.

Rezultatin më të lartë e arriti Ergi Uku, i cili fitoi medalje ari në stilin greko-roman për peshat 51 kg, duke u shpallur kampion Mesdhetar për Kadet.

Mikel Troplini fitoi medalje bronzi në Kampionatin Ballkanik në stilin greko-roman për U-15 në peshën 52 kg. Klevis Preçi (60 kg) koleksionoi medalje argjendi në Ballkanik dhe bronzi në Mesdhetar në stilin e lirë për Kadet. Ardit Zeneli (60 kg) bëri të tijën bronzin në Mesdhetar në stilin greko-roman për Kadet, ndërsa Klodian Shehu (67 kg) dhe Julian Shehu (72 kg) shkëlqyen me medalje të argjendta në Mesdhetar në stilin e lirë për Junior.

Një paraqitje mjaft e mirë e mundësve tanë, që konfirmon se ky sport mbetet premtues për të ardhmen, duke vazhduar traditën e Shqipërisë në mundje.