Pasiviteti fizik është më i dëmshëm se diabeti, duhani, apo hipertensioni. Pra të kryesh pak ose aspak aktivitet fizik ndikon shumë më tepër në rreziqet e vdekshmërisë sesa faktorë të tjerë që deri më sot njihen si kërcënimet kryesore. Ky është konkluzioni i një studimi të Universitetit të Cleveland, që ka habitur edhe vetë autorët e tij.

Kërkuesit kanë marrë në shqyrtim të dhënat mjekësore të 122 mijë personave të moshave nga 53-73 vjeç në një hark kohor prej periudhës 1991-2014. Kardiologu kryesor i studimit është shprehur se rezultati ka qenë mjaft i theksuar dhe i qartë. Në testin e sforcimit fizik që kanë kryer këta pacientë ndër vite, rezulton se jeta sedentare kishte tri herë më shumë rrezik mortaliteti sesa personat që ishin duhanpirës, dhe shumë më të larta ishin këto statistika në krahasim me personat që vuanin nga diabeti apo hipertensioni.

Gjithashtu edhe personat që gëzonin një formë fizike mesatare, kishin rrezik vdekjeje shumë më të lartë në krahasim me atletët profesionistë. Studimi është publikuar në revistën Jama Network Open.