Një vit i vështirë, por edhe i suksesshëm në sektorin e turizmit ka qenë 2021 për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës Alban Isteri.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, Isteri rendit disa nga problematikat me të cilat është përballur biznesi, disa prej të cilave pritet të mbarten edhe këtë vit.
Për Isterin, implementimi i ligjit për fiskalizimin gjatë vitit të kaluar ishte një nga sfidat me të cilat u përball biznesi, ndërkohë që shqetësimi kryesor mbeten burimet njerëzore.
Mungesa e fuqisë punëtore, qoftë punonjësve të thjeshtë por edhe në nivel specialisti është një fenomen që vit pas viti po rëndon biznesin, sidomos vitet e fundit. Emigrimi masiv i të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Evropian po krijon një vakuum burimesh njerëzore në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Kjo sipas Isterit po i shkakton edhe kosto financiare biznesit, ndërkohë që ul konkurueshmërinë e tij në treg dhe njëkohësisht biznese në sektorë specifikë mund të shkojnë drejt mbylljes.
Importimi i fuqisë punëtore nga vende të tjera nuk premton rrugëzgjidhje të problematikës, pasi këta shtetas kryesisht janë me nivel të ulët profesional dhe vendin tonë e përdorin si trampolinë për të kaluar në BE. Për kreun e Dhomës së Tregtisë Durrës, një nga zgjidhjet duhet të jetë formimi më i specializuar profesional i punëmarrësve.
Dy vitet e fundit kanë qenë të vështira për bizneset që operojnë në qytetin bregdetar, pasi efektet negative që shoqëruan dy goditje të forta si tërmeti dhe pandemia Covid-19, u reflektuan në ekonomi me ulje të fuqisë blerëse, rritje çmimesh etj. Vetëm vera e vitit 2021 solli frymëmarrje për sektorin e turizmit, duke rilindur shpresën për një rimëkëmbje të ekonomisë së qytetit.
M.B.





