17 vite jetë, por universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ende nuk ka konvikt. Për këtë arsye, këto ditë në UAMD ka nisur të plotësohet nga studentët një peticion online, që do t’u dorëzohet institucioneve përgjegjëse, me qëllim lëvrimin e fondeve për ndërtimin e konvikteve.
“Në bashkëpunim me disa organizata ne kemi ndërmarrë nismën për të mbledhur 2500 firma nga qytetarët, studentët si dhe të gjithë dashamirësit e kësaj iniciative, që t’i adresojmë këtë çështje universitetit, bashkisë dhe ministrisë. Pasi të kemi mbledhur 2500 firma do ta dorëzojmë pranë këtyre 3 institucioneve këtë nismë dhe do të ndjekim të gjitha hapat e tjera të duhura. Nëse nuk do të ketë reagim institucional do të shohim çfarë hapash të tjerë do të ndjekim për të lobuar për këtë çështje”,– thotë Klaudio Hyseni, nga qendra “Durrësi aktiv”.
Sesa nevojë kanë për një konvikt e thonë më mirë vetë studentët.
“Eshtë shumë i nevojshëm konvikti, ne detyrohemi të jetojmë në shtëpi me qira dhe për pasojë shpenzimet tona rriten edhe më shumë”,- thotë një studente.
“Patjetër që na nevojitet konvikti, sepse do të paguajmë më lirë, sesa në shtëpitë me qira”,– thotë një studente e vitit të dytë.
Pagesa e banesës me qira u shtohet shpenzimeve, që rëndojnë xhepat e studentëve, shumica të papunë.
Madje ka familje që kanë më shumë se një fëmi që ndjek shkollën e lartë. Në këto raste shpenzimet 2 ose 3-fishohen.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka 5 fakultete dhe numëron rreth 17 mijë studentë, më shumë se 50% e të cilëve vijnë nga rrethet.





