Prej ditësh, mungesa e metadonit në Durrës është shqetësimi kryesor i rreth 80 përdoruesve të tij.
Siç pohojnë ata, prej rreth 3 javësh nuk furnizohen rregullisht me të dhe për këtë shkak mund t’i rikthehen konsumimit të heroinës.
Për blerjen e dozave të drogërave të forta kanë nevojë për para dhe shumë shpejt mund të konsumojnë vepra penale.
Përdorues të heroinës prej gati dy dekadash pohojnë sot se u janë rikthyer “zakoneve” të vjetra, si vjedhja, për të cilat kanë përfunduar edhe në burg në të kaluarën.
Në prononcimet e tyre, ata theksojnë se mungesa e metadonit konstatohet vetëm në Durrës, ndërsa e kundërta ndodh në qytete të tjera të vendit. Paraditen e sotme, shumë prej tyre ishin mbledhur para drejtorisë së spitalit, por përveç premtimeve të zakonshme nuk morën asnjë përgjigje konkrete se kur do të mund të furnizohen rregullisht me këtë medikament.
M.B.