Slavko Lukiç do të jetë mungesa e madhe e Teutës në ndeshjen që do të luajë ndaj Flamurtarit. Por, përveç tij, trajneri Magani nuk do të ketë në dispozicion për këtë përballje Hilën dhe Ditën, i cili për shkak të dëmtimit e ka mbyllur sezonin. Mungesa të tilla vijnë në një moment mjaft delikat për durrsakët, që duhet me çdo kusht të fitojnë ndaj vlonjatëve që të vazhdojnë edhe garën për vendin e tretë në klasifikim.
Aktualisht, stafi teknik po punon me lojtarët që kanë në dispozicion dhe sipas të gjitha gjasave vendin e lënë bosh nga Lukiç do ta zërë E.Hoxha që jep garanci me eksperiencën e tij. Ndërsa në mesfushë alternativat janë edhe më të mëdha, me rikthimin e Hysenit, por edhe rikuperimi i Hodos bën që trajneri të qetësohet disi.
Në ndeshjet që janë luajtur në këtë sezon mes dy skuadrave, durrsakët kanë arritur të fitojnë dy dhe të humbasin një. Fitorja e fundit e durrsakëve në shtëpi i takon nëntorit të kaluar dhe përfundoi në shifrat 3-1 me dy gola të Maganit dhe një të Hoxhës. Faza e katërt e kampionatit i gjen të motivuar lojtarët e Teutës, që janë vetëm një pikë larg vendit të tretë të klasifikimit. Gjatë seancës së djeshme stërvitore, trajneri Magani ka punuar me lojtarët e tij në aspektin taktik, duke i udhëzuar ata si të reagojnë në momente të veçanta, kur skuadra humbet topin dhe kapet në kundërsulm nga kundërshtari. Tekniku është parë shumë kërkues ndaj repartit të mesfushë dhe atij të sulmit.
Në prag të fillimit të fazës së katërt të kampionatit, Teuta është shumë pranë vendit të tretë në renditje, që është edhe objektivi kryesor i skuadrës së Maganit. Gara është me Kukësin, skuadrën nënkampione të vendit, çka tregon se nuk do të jetë aspak e lehtë për “djemtë e detit” të marrin atë që synojnë. Megjithatë, në skuadër situata është e mirë dhe lojtarët janë të karikuar për të bërë mirë në çdo përballje, pasi hapat falsë në këtë pikë të kampionatit janë të gabuar.