Në spitalet gjermane janë shtuar kapacitetet e shtretërve dhe të aparateve të frymëmarrjes për pacientët SARS-CoV-2, por ka mungesa të mëdha infermierësh dhe personeli ndihmës, tha Presidenti i Shoqatës Ndërdisiplinare Gjermane të Mjekëve të Reanimacionit dhe të Urgjencës, Uwe Janssens. Sipas tij vetëm aparatet dhe shtretërit nuk mjaftojnë, kur në të gjithë Gjermaninë mungojnë rreth 3500 deri në 4000 punonjës të specializuar në fushën e reanimacionit.
Kryetarja e sindikatës së mjekëve, Marburger Bund, Susanne Johna, mendon se së shpejti mungesa e personelit në spitale do të duket qartazi, sepse “gjashtë deri në nëntë përqind e të infektuarve sot pritet të kenë nevojë për t’u trajtuar në spital brenda dy javësh.” Ajo tha se për çdo pacient të sëmurë rëndë me COVID-10 nevojitet një infermiere në repartin e reanimacionit.
Kurse Presidenti i Shoqatës së Spitaleve Gjermane, Gerald Gaß, tha se vërtet mungesa e personelit infermieror është “sfida qendrore nëse numri i pacientëve rritet”, por ajo mund të përballohet me riorganizimin e personelit brenda spitaleve. Sipas tij vetëm një ndër pesë pacientë që shtrohen në spital me korona ka nevojë për trajtim mjekësor intensiv në repartin e reanimacionit.
Përforcim i kufizimeve
Gjithnjë e më shumë zona në Gjermani konsiderohen tanimë si zona rreziku. Në disa rajone janë mbyllur përsëri shkollat dhe kopshtet, si p.sh. në Berchtesgadener Land apo Rottal-Inn në Bavari. Po ashtu shumë zona kanë vendosur edhe mbylljen e restoranteve. Kufizimet vlejnë fillimisht për dhjetë ditë.
Kancelarja Angela Merkel diskuton sot (28.10) me kryeministrat e landeve se si mund të pengohet përhapja e shpejtë e virusit korona. Qeveria federale gjermane dhe disa nga kryeministrat e landeve kanë theksuar vazhdimisht që shkollat, kopshtet dhe ndërmarrjet mundësisht nuk duhet të preken nga një bllokim i dytë. Prandaj fokusi i masave kufizuese tani po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek baret, restorantet, tek vendosja e orëve policore/shtetrrethimeve dhe tek eventet. /DW