DURRËS, 4 mars 2014 – Rreth 90 për qind e individëve me aftësi të kufizuara mendore vuajnë mungesën e plotë të aksesit në shërbime, fakti i dhembshëm bëhet publik në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga Koalicioni Shqiptar “Aftësia e Kufizuar dhe Zhvillimi” (KSHAKZH). Ky Koalicion, prej 25 organizatash, i krijuar në vitin 2007, i kërkon qeverisë të vendosë shërbimet për personat me aftësi të kufizuara si prioritet në planet e veprimit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2014, duke parashikuar financimin e tyre nga buxheti i shtetit, me qëllim që të bëjë të mundur mbështetjen e shërbimeve ekzistuese të ofruara nga organizatat jofitimprurëse, të cilat aktualisht mbështeten nga donatorë ndërkombëtarë, por që rrezikojnë të mbyllen për shkak të mungesës së financimeve; ngritjen dhe funksionimin e shërbimeve të reja të specializuara, me qëllim mbulim të gjerë territorial, duke pasur në vëmendje edhe grupmoshat mbi 25 vjeç, që aktualisht janë krejtësisht jashtë çdo skeme shërbimi. Sipas deklaratës, në qoftë se nuk do të merren masa konkrete të menjëhershme në këtë fushë, situata e personave me aftësi të kufizuara mendore dhe e familjeve të tyre do të vazhdojë të përkeqësohet në mënyrë progresive, dhe kjo do të ndikojë gjithashtu, gjithnjë e më negativisht në komunitetin pranë tyre. Sa më vonë të fillojë rehabilitimi dhe mbështetja e këtij grupimi në nevojë, aq më të larta do të jenë kostot në të ardhmen, jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për shoqërinë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





